Arbëri

Ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë i komunikohen akuzat

Në Shqipëri, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u njoh dje me akuzat, një ditë pasi prokuroria shpalli mbylljen e hetimeve ndaj tij dhe dërgimin e çështjes për gjykim. Sipas vendimit të Prokurorisë, Tahiri akuzohet për “Trafik të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”. Vetë zoti Tahiri i komentoi me ironi akuzat. “Nuk më vjen njeri tjetër, por pas Aldo Bares, mendoj se jam i dyti me këtë akuzë. Nuk është se ka ndonjë surprizë të madhe”, u shpreh ai ndërsa e cilësoi “të turpshëm”, procesin e Prokurorisë. Një proces që sipas tij ka qenë “politik nga fillimi deri në fund. "Unë jam mësuar me vështirësi. Nuk besoj se do e kem problem. Do ja dal dhe kësaj”, deklaroi ish ministri.

Zoti Tahiri u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e ish ministrit, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se prokurorët nuk kishin paraqitur asnjë prove. Në maj të vitit të kaluar zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Zoti Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë.