Dëshmitë që e lidhin rrëshqitjen e Telekomit drejt njerëzve të Haradinajt Foto: Koha / ilustrim

Dëshmitë që e lidhin rrëshqitjen e Telekomit drejt njerëzve të Haradinajt

Besnik Krasniqi Besnik Krasniqi 28 February 2019 10:13

Telekomi i Kosovës ka lidhur jashtëligjshëm një marrëveshje të konfidencialitetit që i mundëson kompanisë “Artillery One”, me bazë në Karolinën e Veriut, qasje të plotë në dokumentat financiare, pas të cilit hap është paralajmëruar oferta për privatizim të kësaj ndërmarrjeje publike. Shefi i kompanisë amerikane, Daniel P. Cannon, ka një të kaluar të errët dhe ka partneritet biznesi me familjarë të një këshilltari të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Mbështetur në një informatë  që në fillim të muajit e ka dhënë Senton Kaçaniku, përfaqësues i kësaj kompanie amerikane, marrëveshja përbën hapin “drejt shpëtimit të Telekomit”.

“Drejtori menaxhues në ‘Artillery One’, George Cannon dhe u.d. i kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, nënshkruan marrëveshjen e konfidencialitetit, që ia mundëson kompanisë sonë të fillojë procesin e analizës financiare në mënyrë që të evoluojë vlerën e tregut të Telekomit dhe të përpilojë ofertën për privatizim, si mënyrë për ta shpëtuar këtë kompani nga falimentimi”, thuhet në këtë informatë. “Si kompani, ne jemi falënderues dhe entuziastë për qasjen konstruktive dhe në mbështetje të investimeve të dëshmuara nga kryeministri Haradinaj, si dhe për transparencën e treguar në këtë proces”.

Telekomi hesht e MZHE akuzon

Marrëveshja me Telekomin është firmosur vetëm dy ditë pasi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë është regjistruar biznesi me emër “Artillery One Kosova” L.L.C. Mbështetur në platformën online të kësaj agjencie, pronar i këtij biznesi figuron George elliott peter Cannon, djalë i Daniel P. Cannon, ndërsa kapitali fillestar i kompanisë është paraqitur 1.000 euro. E drejtor menaxhues është prezantuar aty Senton Kaçaniku.

Ndryshe prej asaj që kishte informuar fillimisht, Kaçaniku i ka thënë gazetës të martën se “Artillery One Kosova” nuk ka pikë lidhje me Telekomin. Për këtë biznes të ri, ka thënë të jetë themeluar si kompani me synim të ndërtimit të një spitali, për të cilin ka thënë se do të ofrojë shërbime falas të emergjencës për rajonin e Drenicës.

Daniel P. Cannon është paraqitur në Kosovë në fund të vitit të shkuar. Nga vizitat e para të tij, është ajo te familja e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në Skenderaj. Bekim Jashari, anëtar i familjes dhe kryetar i Komunës së Skenderajt, e ka prezantuar atë si investitor të mundshëm. (Postimi) Ndërkaq, në disa paraqitje të tjera, është theksuar se “Artillery One” pas studimit të fizibilitetit do ta ngrejë Pendën e Drenicës, një projekt nëpërmjet të cilit është theksuar se do të krijohet një liqe artificial në fshatin Kuçicë të kësaj komune, ndërsa më vonë është prezantuar edhe ideja e ngritjes së një spitali në komunë.

Jashari të martën nuk ka shprehur gatishmëri të flasë për kontaktet me kompaninë dhe as në dhe as nëse ishte realizuar deri tash studimi i fizibilitetit, i paralajmëruar për ngritjen e Pendës.

Një muaj pas, Cannon ka dërguar një Non-Disclosure Agreement (NDA) tek Telekomi i Kosovës. Një dokument i protokolluar më 12 dhjetor nga Telekomi, e me numër protokolli 2362, dëshmon për këtë kërkesë. Atëkohë “Artillery One” kishte shprehur interesimin edhe për privatizimin e Telekomit.

Ka një javë prej kur në adresë të Telekomit, “Koha Ditore” ka adresuar pyetje në lidhje me marrëveshjen e konfidencialitetit të lidhur me kompaninë amerikane. Mes tjerash, kjo ndërmarrje publike e telefonisë mobile e fikse është pyetur edhe për arsyet që kishin bërë që të pranohej kërkesa për NDA, në kohën kur nuk kishte asnjë proces të hapur për rikonstruktim apo privatizim të Telekomit.

“Për këto pyetje, ju lutem drejtohuni MZHE-së, meqenëse MZHE-ja udhëheq procesin e privatizimit të Telekomit të Kosovës”, thuhet në një përgjigje të shkruar, që e ka dhënë Arsim Bilalli, zëdhënës i Telekomit.

Edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), “Artillery One” kishte dërguar një shprehje të interesit për të ndërmarrë një analizë mbi veprimtarinë financiare, strukturën organizative dhe atë të kapitalit, si dhe për asetet ekonomike dhe ato të pronësisë intelektuale të kësaj ndërmarrjeje. Ndër të tjera, në shprehjen e interesit ishte kërkuar “ekskluzivitet gjatë fazës së analizës dhe përparësi absolute në gjithsecilin proces të privatizimit ose komercializimit” të ndërmarrjes në fjalë.

Vetë ministri Valdrin Lluka kishte zhvilluar një takim me përfaqësuesit e kompanisë.

Lluka ka thënë se vendimi për ta firmosur marrëveshjen është i jashtëligjshëm.

“Nuk ka të drejtë askush të japë Non-Disclosure Agreement, apo marrëveshje konfidencialiteti”, ka thënë ministri Lluka.

Në MZHE kanë thënë se, meqë Telekomi nuk ishte i hapur për asnjë proces privatizimi ose komercializimi, pas analizës së thellë të kësaj kërkese, ishte vlerësuar se të dhënat e kërkuara nuk mund të ishin të qasshme sipas kërkesës, përjashtuar të dhënat publike mbi ndërmarrjen, e në veçanti raportet e auditorit të pavarur, të cilat janë publike dhe të qasshme për gjithsecilin.

“Është vlerësuar se çfarëdo e drejtë ekskluzive ose përparësi konkurruese cenon rënd bazën ligjore dhe rendin publik si vlera fondamentale të ekonomisë së lirë të tregut, konkurrencës dhe transparencës”, ka thënë Lulzim Demolli, këshilltar i ministrit Lluka. “Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk është e njoftuar për asnjë marrëveshje. Për më tepër, ne nuk kemi autorizuar dhe as kërkuar që të bëhet asnjë marrëveshje me këtë subjekt apo çfarëdo subjekti tjetër. Ministri Lluka nëpërmes një letre ka falënderuar kompaninë në fjalë për interesin dhe i ka sqaruar se në parim interesi është i mirëseardhur, gjithsesi, por asnjë dokument, përveç atyre që janë të qasshëm për publikun, nuk mund të jepet në këtë fazë”.

Mbështetja e Haradinajt

Përfaqësuesit e kompanisë ishin ankuar në ministrin Lluka.

Senton Kaçaniku kishte shfrytëzuar një komunikim me përfaqësues biznesesh që kryeministri Haradinaj e kishte pasur në mes të janarit në Odën Ekonomike Amerikane. Aty ishte prezantuar si drejtor menaxhues në “Artillery One”, për të cilin biznes kishte thënë se drejtohet dhe është në pronësi të një bankieri investiv amerikan.

“Kemi dërguar dokument zyrtar edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik ... Nuk kemi marrë përgjigje fare. Ne kemi kërkuar Non-Disclosure Agreement – një marrëveshje konfidencialiteti, në mënyrë që të kemi qasje në të dhënat financiare të Telekomit, ta vlerësojmë vlerën dhe në partneritet me një operator të madh amerikan, të shprehim interesim për investim strategjik, ose një formë tjetër në partneritet me Qeverinë e Kosovës”, i pati thënë Kaçaniku kryeministrit Haradinaj, dëshmon një filmim. “Ne kemi pritur të paktën që gjatë 30 ditësh të marrim një përgjigje nga Ministria... Nuk e kemi marrë atë”, pati shtuar ai, dhe për ta dramatizuar situatën, pati theksuar se tani “Artillery One” fokus e ka investimin në Bermuda, në një projekt të ngjashëm siç ka qenë për Telekomin.

“Ju kërkoj falje për këtë”, i pati thënë Haradinaj Kaçanikut. “Më vjen keq që të paktën nuk janë dhënë këto shpjegime që po i dëgjoni prej meje”.

Diku një javë pas kësaj, Qeveria ka nxjerrë një vendim, me të cilin autorizohet një komision qeveritar “për privatizimin e ndërmarrjes publike qendrore ‘Telekomi i Kosovës’ Sh. A.”. Në krye të komisionit është vënë ministri i Zhvillimit Ekonomik, ndërsa në përbërje janë edhe katër ministra: ai i Financave, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, si dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Komisioni... do t’i rekomandojë Qeverisë së Republikës së Kosovës ofertuesin më të suksesshëm”, thuhet në vendimin që mban datën 22 janar.

Një ditë para vendimit, kryeministri Haradinaj pati pritur në zyre përfaqësuesit e “Artillery One”.

Pas takimit, kreu i Qeverisë pati publikuar një informatë , e cila përmbante edhe këtë fjali: “Diskutim i frytshëm me delegacionin amerikan, përbërë nga Daniel Cannon, Ryan Zinke, dhe Steven Lindgren, përfaqësues të ‘Artillery One’, për mundësitë e shumta për investime në sektorin e ujërave, teknologjisë dhe të telekomunikacionit në vendin tonë”.

Historia e errët e Cannon dhe Zinke

Në këtë takim ishte edhe Ryan Zinke, ish-sekretari i Brendshëm në Administratën e presidentit Donald Trump dhe kongresmeni i Shteteve të Bashkuara. Vetëm pak ditë përpara se të vinte në Kosovë, zyrtarisht ai i ishte bashkëngjitur “Artillery One” në pozitën e drejtorit menaxhues.

Zinke, i cili në vitin 1999 ishte në Kosovë i uniformuar si pjesë e ushtrisë amerikane, ka dhënë dorëheqje nga pozita e sekretarit të Brendshëm, pas akuzave për shpenzime joetike dhe lidhje biznesore gjatë kohës sa ishte sekretar. Gjatë mandatit të tij, ishin 18 hetime formale të iniciuara kundrejt Zinke për arsye të ndryshme, duke përfshirë riemërime në poste të larta, fluturime me aeroplan privat, lidhjet e tij me bizneset dhe shpenzime të paarsyeshme në detyrë.

“Ryan Zinke, tani punon për shefin e blockchain që ka një të kaluar të errët”, është kreu i një shkrimi që Daily Beast ia kushton pronarit të “Artillery One”, Daniel P. Cannon.

Cannon ka në pronësi edhe një kompani që quhet “Oberon Securities”, të regjistruar në New York.

Raporti i brokerave nxjerr një të kaluar të errët të tij. Raporti tregon se ai ka tri akuza kriminale, një mosmarrëveshje me konsumatorin dhe pesë gjykime. Në mesin e akuzave, janë ato për kultivim të marihuanës në oborrin e tij, për abuzim me substanca narkotike dhe për posedim të kokainës.

Senton Kaçaniku ka thënë se kjo nuk duhet të përbëjë problem.

“E kaluara e Danielit nuk dallon shumë prej njerëzve të tjerë të Wall Street”, ka thënë ai. “Nuk e di pse duhet të bëhet temë e kaluara e tij personale”.

Cannon ka hapur tri kompani me të njëjtin emër në tre vjetët e fundit. Dy kompani “Artillery One” janë të regjistruara në zyrën e bizneseve në Karolinën e Veriut – njëra korporatë dhe tjetra shoqëri me përgjegjësi të kufizuara.

“Artillery One” paraqitet si kompani e regjistruar në nëntor të 2017-s, kurse “Artillery One Venture Fund” paraqitet si kompani e formuar në tetor të 2018-s.

E fundit është kompania “Artillery One Kosova”, e hapur në Prishtinë më 2 shkurt të 2019-s, e që është në emër të George Cannon, dhe e cila, sipas njoftimit që e kishte publikuar Senton Kaçaniku, ka firmosur marrëveshjen e konfidencialitetit me Telekomin.

Çështja është problematizuar të martën edhe në Kuvend, kur vendimi i Qeverisë për privatizimin e Telekomit është shqyrtuar nga Komisioni parlamentar për zhvillim ekonomik. Në mungesë kuorumi, vendimi nuk është miratuar. Megjithëkëtë, deputetët aty kanë shprehur dilemat e tyre për qasjen që Telekomi ia ka mundësuar “Artillery One” në informatat që lidhen me financat.

Kjo ka bërë që të ndryshojnë disa deklarime përfaqësuesit e kompanisë, por edhe të ndërmarrjes që është në privatizim.

Gjithçka AAK

Bedri Istrefi është zgjedhur pak ditë më parë kryeshef ekzekutiv i Telekomit. Ai ka lidhje familjare me një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Haradinaj, Besnik Tahiri, i cili aktualisht ka pozitën e koordinatorit nacional për Reforma Shtetërore. Istrefi e pason në pozitë Gent Begollin, një funksionar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që dha dorëheqje nga pozita e kryeshefit, të cilën e kishte marrë pak kohë pasi Haradinaj qe bërë kryeministër.

Edhe në krye të Bordit të Telekomit është dikush i lidhur me partinë e Haradinajt. Është Besa Shatri, bashkëshorte e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha.

Gazeta e ka kontaktuar të martën kryeshefin Istrefi, nga i cili ka kërkuar informacione në lidhje me marrëveshjen me “Artillery One”. Ai e ka mohuar se një marrëveshje të këtillë e ka firmosur dhe ka thënë se gjatë ditës do të ofroheshin përgjigjet e pyetjeve që “Koha Ditore” i kishte dërguar në Telekom prej një jave. Përgjigjet kanë munguar.

Senton Kaçaniku fillimisht ka thënë se një marrëveshje ekziston.

“Të dhënat e kërkuara janë të natyrës që i mbulon Ligji për Qasje në Dokumente Publike, dhe marrëveshja ka të bëjë me thjeshtësim të procedurës dhe mbrojtje të të dhënave të Telekomit nga konkurrenca jolojale”, ka thënë Kaçaniku. “Në asnjë pikë në marrëveshje nuk ceket ekskluziviteti”.

Por kur i është thënë se kryeshefi i Telekomit është duke e mohuar ekzistencën e një marrëveshjeje, ai i ka ndërruar fjalët.

“Nuk thashë që është firmosur”, ka thënë Kaçaniku, pavarësisht se për arritjen e marrëveshjes kishte lëshuar një informatë vetë, dhe po kështu e kishte shpërndarë edhe lajmin që shoqërohej me fotografinë që e dëshmonte momentin e firmosjes së marrëveshjes.

Në profilin e tij në Facebook, ku i shpërndan shumë informacione që lidhen me “Artillery One”, shpërndan edhe shumë aktivitete e qëndrime të kryeministrit Haradinaj, por edhe të kreut të Skenderajt, Bekim Jashari.

Lidhja me këshilltarin e Haradinajt

Por Kaçaniku nuk është i vetmi nga kosovarët me të cilët ka bashkëpunim “Artillery One”.

Në tetor të vitit të shkuar, në Plazhin Pebble të Kalifornisë, kjo kompani ka mbajtur “Samitin e Zhvilluesve të Blockchain”, në të cilin kanë marrë pjesë disa kosovarë, ndër ta edhe Taulant Ramabaja nga “Bitsapphire”. Në një video nga samiti, Ramabaja së bashku me të tjerët thotë se kompania “Sapphirelabs” së bashku me kompaninë “Sentry” janë dy kompanitë kryesore që së bashku me “Artillery One” kanë organizuar këtë samit në Kaliforni, me “75 mendjet më të ndritura të kryptokurrencisë”.

Sipas ARBK-së, “Sentry” ka pesë pronarë: Kujtim Kryeziu, Linda Shala, Robert Shala, Drinor Selmanaj dhe Drin Raci.

Linda Shala është motra e Gazmend Abrashit, i cili është këshilltar për ekonomi i kryeministrit Haradinaj. Robert Shala, ndërkaq, është djali i Linda Shalës.

Në faqen zyrtare të “Sentry”, si partnerë të kompanisë paraqiten disa kompani, në mesin e tyre e para është “Artillery One” e Daniel P. Cannon, “Bitsapphire” e Taulant Ramabajës, “Monetas”, të cilën Cannon kishte ofruar ta blinte, si dhe “Premium Tobacco Group”, me pronar Gazmend Abrashi.

Në muajt e fundit, bordi i këshilltarëve ka ndryshuar në këtë kompani. Cannon është futur i pari tek këshilltarët e saj.

Gazeta e ka pyetur Linda Shalën për llojin e partneritetit biznesor që ka me Cannon dhe për kohën kur e ka lidhur atë.

Ajo fillimisht ka thënë se do të përgjigjej, e më pas ka sugjeruar që pyetjet t’i adresoheshin Robert Shalës.

E Robert Shala ka thënë se “Sentry Cybersecurity” është kompani lider dhe ndër të vetmet në fushën e sigurisë kompjuterike/kibernetike në Kosovë, e cila ofron shërbime të specializuara në testime të sigurisë, menaxhim të sigurisë për biznese, dhe auditim të teknologjive të reja, si blockchain, artificial intelligence, dhe machine learning.

Ai ka treguar edhe raportin me pronarin e “Artillery One”.

“Në mesin e shumë klientëve internacionalë, ‘Artillery One’ është një ndër kompanitë për të cilat kemi kryer disa nga shërbimet e lartpërmendura. Natyra e punës dhe shërbimet të cilat ne ofrojmë janë afatgjate – me interes që ta zhvillojmë edhe më shumë prezencën tonë në tregun e Amerikës. Duke pasë parasysh që ‘Artillery One’ ka bashkëpronarë dhe partner menaxhues Ryan Zinke, ish-sekretar i Brendshëm i Shteteve të Bashkuara dhe staf veteran në forcat ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s, e bën ‘Artillery One’ të jetë një ndër klientët tonë të preferuar”, ka thënë Shala. “’Artillery One’ është klient i yni prej fundit të vitit 2017, ku kemi ofruar një numër shërbimesh të sigurisë kibernetike, si Penetration Testing dhe auditim të sigurisë në lidhje me bizneset dhe interesat e kompanisë në shtete si Zvicra, Bermuda, dhe SHBA-ja. Pika lidhëse mes ‘Sentry’ dhe ‘Artillery One’ është Senton Kaçaniku, përfaqësues i kompanisë A1 në Kosovë me të cilin kemi pasur kontakte profesionale që nga fillimet e kompanisë Sentry”.

Ai ka kthyer përgjigje edhe në këtë pyetje: Sa mund të ketë ndikim në privatizimin e mundshëm të Telekomit nga kjo kompani, lidhja biznesore që keni me Daniel P. Cannon dhe lidhja familjare me Gazmend Abrashin.

“‘Sentry’ nuk ka shprehur interesim ta privatizojë Telekomin e Kosovës dhe nuk ka lidhje me procesin e privatizimit. Unë dhe pronarët e tjerë në ‘Sentry’ vijmë nga familje dhe fise të mëdha të Kosovës (Shala, Selmanaj, Kryeziu, Rraci, Abrashi, Gashi, Bajgora, Tanushi, Berisha), të cilët kanë prezencë të madhe në sektorin privat dhe atë publik”, ka thënë Robert Shala. “‘Sentry’ është kompani e teknologjisë me fokus në siguri kibernetike dhe nuk përfaqëson aspiratat apo interesat e biznesit të klientëve të saj”, ka vijuar ai, pa përmendur faktin që Daniel P. Cannon figuron në mesin e këshilltarëve të “Sentry”.

Për këtë partneritet mes dy bizneseve ka folur edhe Senton Kaçaniku.

“Partneriteti me ‘Sentry’ është rrjedhojë e sukseseve të tyre dhe arritjes së njohjes ndërkombëtare si ndër ekspertët më të shquar për siguri kibernetike në botë. Sipas matjeve kompetitive, ata janë në top 0.1% të hakerëve etikë në botë”, ka thënë ai. “Unë me ‘Sentry’ bashkëpunoj prej 2017-s, kur kjo Qeveri nuk ka qenë në pushtet”.

Heshtja e Qeverisë

E në Qeveri kanë heshtur. Nuk kanë folur për takimet që kryeministri Haradinaj i ka pasur me përfaqësues të “Artillery One”, dhe as nuk kanë treguar për ndikimin e mundshëm që kreu i Qeverisë e ka ushtruar te Telekomi, për ta nënshkruar marrëveshjen për analizë financiare me kompaninë amerikane. Mes pyetjeve që kanë mbetur pa përgjigje, është edhe ajo nëse kryeministri Haradinaj ishte në dijeni se familjarë të një këshilltari të tij janë në lidhje biznesore me përfaqësues të “Artillery One”.

Kompania amerikane që ia ka mësyrë Telekomit, nuk ka një webfaqe të veten për të parë aktivitetet që ajo i ka kryer në të kaluarën. E tek raportet vjetore të kompanisë nuk figuron ndonjë aktivitet.

Gazeta nuk ka hasur në asnjë dokument që tregon për përvojën e kompanisë në menaxhimin e aseteve të ngjashme me Telekomin e Kosovës apo çfarëdo menaxhimi tjetër të aseteve. Po ashtu, as ndonjë dokument që tregon për kapitalin e kompanisë dhe prejardhjen e këtij kapitali.

E emri i “Artillery One” përmendet tek një aktivitet për blerjen e “Monetas”, një blockchain kompani në Zvicër, e cila kishte bërë kërkesë për bankrotim. Kishte dështuar. Daniel .P Cannon kishte ofruar që të paguante 2 milionë dollar për blerjen e kompanisë, por kishte paguar vetëm 400 mijë dollarë, duke bërë që marrëveshja të dështonte.

Brenda këtij mandati qeverisës, katër kompani kanë shprehur interes për të kuptuar më shumë rreth afarizmit të ndërmarrjes Telekomi i Kosovës, me theks mbi numrin e klientëve, gjendjen financiare dhe operative, si dhe mbi të drejtat pronësore ekonomike dhe ato të pronësisë intelektuale. Kompanitë që kanë shprehur interes janë: “A1 Telekom Austria”, “Orange”, “Rockaway Capital” dhe “Artillery One”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Veri 28/02/2019 14:05

Po mir sidoqoft kjo kompani qenka duke e verifikuar vleren dhe deshtimet e Telekomit por un them se nese punohet si duhet dhe deshironi te perparoj Telekomi duheni ta Shitni pjesrisht ne A1-Austria se vetem ata do te Investonin ne drejtim te zhvillimit e jo vetem ne drejtim te falimentimit. Flm

Shto koment

Të ngjashme