Arbëri

KRU “Prishtina” intensifikon shkyçjet nga rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit për shkak të mospagesave

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë se aksioni për shkyçjen individuale të konsumatorëve borxhlinj nga shërbimet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për shkak të mospagesave është duke vazhduar me intensitet të lartë si në qendra të qyteteve ashtu edhe në fshatra.

Ky aksion ka filluar më 1 shkurt 2019 dhe si i tillë do të vazhdojë deri në dhjetor 2019.

“Ne kemi intensifikuar aktivitetet për arkëtimin e borxheve edhe përmes detyrimit /shkyçje të shërbimit, padi gjyqësore, përmbarues privat, etj., dhe natyrisht kjo shkakton shpenzime shtesë për buxhetin familjar, pasi që vërejtja me shkrim ka kosto prej 3.24 Euro, shkyçja dhe rikyçja e ujit 20.00 Euro dhe shpenzimet e përmbaruesit privat 18% në vlerën totale të borxhit të akumuluar”, thuhet në njoftimin për media të KRU “Prishtina”.

Kompania njofton qytetarët po ashtu se e kanë obligim ligjor t’i paguajnë faturat si dhe borxhin e akumuluar të ujit të shpenzuar.

Andaj, Kompania thotë se nëse nuk reflektojnë deri më 1 mars 2019, janë të detyruar të ndërmarrin masa ndëshkuese ligjore bazuar në Ligjet përkatëse.

KRU “Prishtina” falënderon të gjithë konsumatorët për pagesa të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe fton urgjentisht secilin prej tyre që të jenë sa më të rregullt në pagesa, “sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’u shmangen ndëshkimeve të kompanisë, gjegjësisht ekipeve të shkyçjes dhe procesimit të lëndëve te përmbaruesit privat”.

“Po ashtu, Kompania iu ka ofruar bashkëpunim dhe lehtësira të ndryshme për pagesën e borxheve të mëdha të akumuluara, mirëpo shumë nga konsumatorët kanë refuzuar bashkëpunimin me KRU “Prishtina” sh.a. Orientimi i të gjitha aktiviteteve të punës do të kenë për fokus konsumatorin, ku të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit do të kenë trajtim human dhe qasje në shërbim, pa diskriminim racor, pa diskriminim në përkatësinë religjioze, pa diskriminim në përkatësinë gjinore”, përfundon komunikata e KRU “Prishtina”.