Analistët thonë se taksa përgatit rrugën për zgjedhje të reja

Bajrami: Duhet të jemi gati ta pranojmë se dialogu mund të përfundojë pa njohje nga Serbia

26 February 2019 20:53
21:21

Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës KOHA Ditore, ka thënë se taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe mund të vazhdojë deri sa në krye të qeverisë do të jetë Ramush Haradinaj.

“Përderisa Haradinaj është kryeministër dhe vazhdon të jetë i bindur”, ka thënë Bajrami.

Mirëpo, Bajrami tha se dialogu me Serbinë jo domosdo do të përfundojë me marrëveshje gjithpërfshirëse, madje mund edhe të mos sjell njohjen. Si rrjedhojë institucionet e Kosovës duhet kenë një skenar se si të vazhdojë jeta e qytetarëve dhe jo të mbetet peng i raporteve me Serbinë.

“Duhet të mendojmë që ne të mos kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë edhe një kohë shumë te gjatë. Nuk është e thënë se do të kemi njohje nga Serbia dhe ne do të duhet të kemi një plan, të themi ashtu si shtet, shoqëri, institucione, se si do të funksionojmë, sepse ne nuk mund të vazhdojmë që jeta të diktohet plotësisht prej raporteve që i kemi me Serbinë e të cilat nuk janë normale përkundër procesit të normalizimit”, ka thënë Bajrami.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinaj se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Sipas tij, nuk mund të thirremi në deklarata me të cilat mendojmë se po e kërcënojmë palën tjetër, një shprehje e tillë, thekson ai, nuk i bën mirë vendit.

“Unë besoj që një shprehje e këtillë nuk i bën mirë Kosovës”, ka thënë ai.

“Duhet të kuptojmë që mbi interesat personale është interesi i shtetit dhe nuk mund të lejojmë që të përsëritet procesi i demarkacionit”, deklaroi ai.

20:53

Analistët thonë se taksa përgatit rrugën për zgjedhje të reja

Hulumtuesja e KDI-së, Jeta Krasniqi në Rubikon të KTV-së ka folur mbi raportin e publikuar nga Instituti mbi taksën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Të titulluar “Taksa 100 %, pezullim apo vazhdim?”, KDI ka përjashtuar heqjen e taksës si skenar të mundshëm duke dhënë vetëm dy sosh, pezullimin apo mbajtja e saj.

“Po, ne kemi marrë vetëm pezullimin e taksës. Pra, mbajtjen e taksës apo pezullimin e saj. Ne e kemi parë që si një mjet është e vështirë në çfarë kushtesh je duke e hequr”, ka thënë ajo. “Ne vlerësojmë se taksa nuk duhet të jetë arsyeja që ne të shkojmë në zgjedhje”. Krasniqi thotë se klasa politike duhet ta gjej konsesusin e përgjithshëm mbi çështjen Kosovë Serbi meqë sipas saj, dialogu do të kushtëzohet përmes taksës nga Serbia.

Kryeredaktori i Kohës Ditore, Agron Bajrami, ka thënë se ekziston një diskutim për ndarje të Kosovës, por ky diskutim është zhvilluar jashtë zyrës së Federica Mogherinit. Sipas tij, kryeministri Ramush Haradinaj ka tentuar të pengojë ndarjen përmes taksës.

“Dialogu është ndalur në zyrën e Mogherinit por jashtë saj nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet. Për aq sa ne mund të marrim vesh, këto temat për territore nuk janë diskutuar në zyrën e Mogherinit por jashtë saj mirëpo ajo marrëveshje duhet të shkoj në atë zyrë për tu nënshkruar. Kryeministri tha se është formalizim i pengimit të ndarjes, pra, do të thotë se ekziston një diskutim”, ka thënë Bajrami.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se masa është jetësuar si mjet për përgatitjen e kampanjës zgjedhore.

“Është vendim politik dhe përgatitje për kampanjë zgjedhore por është kalkulim I gabuar sepse nëse mendon që përmes populizmit i votat e popullit, populli nuk do ta votoj kur e sheh që po prishen marrëdhëniet me SHBA-në”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas tij, raportet tregojnë se vendimi është politik dhe jo ekonomik, madje, sipas Gërxhaliut, para se të merret vendimi për taksë as nuk janë analizuar efektet anësore apo pasojat që mund t’i prodhojë.

“Mu më dhemb që ja kemi bërë një penallti Serbisë dhe tash ata po e shfrytëzojnë”.

Sipas opinionistit Taulant Kryeziu, taksa ka pasur efektin e vetë duke mos lejuar të vazhdoj një dialog, rezultati i të cilës po shkonte drejt një marrëveshje ku hynte edhe shkëmbimi i territorit. Kryeziu tha se kur klasa politike e pa që taksa po pranohet nga qytetarët, nxitonin se cila parti t’i merrte kreditë. Ndërsa, kur filluan reagimet ndërkombëtare, politika e PDK-së ndryshoi duke kërkruar pezullimin.

“Kur ndërroi loja në terren, PDK ka dal me një qëndrim që të pezullohet e AAK ta mbaj qëndrimin e vetë”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme