MTI-ja thotë se nuk ka kontrabandë, VV-ja ofron “foto dhe fakte”

Donika Voca Gashi Donika Voca Gashi 25 February 2019 19:58

Asnjë mall të vetëm inspektorët e tregut nuk kanë arritur ta gjejnë të kontrabanduar në tregun në Kosovë.

Ka 4 ditë që inspektorët e tregtisë së bashku me ata komunalë, në mbarë vendin kanë nisur inspektimet pas shqetësimeve të ngritura për mallra të kontrabanduara pas taksës 100 % vënë produkteve serbe, raporton KTV.

Por, ministri i Tregtisë, Endrit Shala, thotë se tregu është i pastër nga kontrabanda.

E, kontrabandë të mallrave serbe, sipas ministrit të Tregtisë, nuk ka as në veri.

Por, shumë prej produkteve që shiten në dyqane nuk e kanë të vendosur vendin e saktë të origjinës, derisa shumica prej këtyre produkteve përmbajnë vetëm datën e skadimit, por jo edhe atë të prodhimit.

Ky produkt mban barkodin e Bosnje Hercegovinës, derisa sipas flamurit, figuron që vendi i origjinës së tij është nga Maqedonia.

Ndërsa, mielli Fellini, i cili e ka origjinën nga Serbia, në njërin nga dyqanet në Prishtinë nuk ka fare flamurin se nga cili shtet vjen, derisa çmimi i tij është i njëjti siç ishte para vendosjes së taksës.

Vetëvendosje këtë të hënë, përmes një konference, ngriti shqetësimin se kjo taksë nuk po zbatohet në tërësi.

Gjatë tre muajve të fundit që kur është vënë taksë ndaj produkteve serbe në Kosovë, janë importuar rreth 670 mijë euro mallra kryesisht lëndë e parë e prodhimit, të cilave iu është aplikuar taksa prej 100 përqind.

Nga Bosnje Hercegovina, gjithashtu, janë importuar rreth 100 mijë euro mallra.

Bazuar në këto të dhëna janë rreth 140 milionë euro më pak import nga Serbia që nga vënia e taksës.

Ndërsa, sa i përket mallrave kontrabandë, Dogana ka konfirmuar se deri më tani ka kanë arritur të identifikojë tri maune me produkte ushqimore, të cilat ishin zënë në pjesën veriore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme