Arbëri

Osmani: Platforma shqyrtohet vetëm kur hyn në fuqi ligji për dialogun

Në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, po shqyrtohet platforma për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare.

Doruntinë Maloku nga LDK, tha se propozon që pika e 4 të hiqet nga rendi i ditës meqë nuk i plotëson kushtet për shqyrtim.

“Meqë ligji për dialog nuk ka hyrë në fuqi”, tha ajo.

Vjosa Osmani , që e drejton këtë komision, u pajtua me këtë ide.

“Edhe unë pajtohem. Ne këtë platformë e shqyrtojmë vetëm kur të hyjë në fuqi ligji për dialogun. Vetëm pasi të ndodhë ajo, të mblidhemi në të njëjtën ditë sepse ky dokument derivon nga ligji që ende nuk ka hyrë në fuqi”, tha Osmani, raporton KTV.

Elmi Reçica tha se Ekipin shtetëror e kanë votuar në Kuvend dhe ai i ka marrë votat e mjaftueshme.

“Delegacioni shtetëror është votuar dhe është legjitim”, tha ai.

Por Maloku, tha se “rezoluta nuk është akt i obligueshëm ligjor, gjithçka që derivon nga ai ekip është kundërkushtetues pa u votuar ligji. Ne nuk votojmë ligje që janë antikushtetuese”.

Osmani, më pas tha se “Vetë delegacioni shtetëror e partitë që kanë mbështet delegacionin janë pajtuar që të mandatohen përmes ligjit. Meqë keni vendosë ta bëni këtë punë me ligj, atëherë respektoni këtë ligj që e keni shkruar vetë”.

Këtë ligj, ajo e quajti “ligj koti”.

Deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi, pati një përplasje me deputeten e LDK-së, Vjosa Osmani.

“Qiteni në votim edhe u kry. Nuk ke kulturë elementare për debat”, i tha Thaçi.

Osmani i tha se “ti nuk mundesh mua me më mësu qysh e udhëheqë mbledhjen”.

Ndërkaq, Time Kadriaj nga AAK, tha se platforma duhet të trajtohet me ose pa rekomandim të Komisionit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se “nëse duam ta shqyrtojmë këtë çështje pajtohem me Doruntinë Malokun. Ka kontradiktë në kuptimin formal e procedural. Ata kanë sjellë platformë ende pa u votu ligji e kjo është paradoksale”.

Në fund, propozimi i Doruntinë Malokut nuk kaloi dhe vazhdoi rendi i ditës siç u planifikua.

Ka nisur edhe shqyrtimi i dytë i projektligjit për dialogun.

Osmani, i është drejtuar deputetit Dukagjin Gorani të PSD-së, duke i thënë se “meqë jeni pjesë e ekipit a e dëshironi fjalën për të arsyetuar dokumentin”.

“Ju inkurajoj me votu këtë dokument. Ky është një dokument i një kompromisi që nuk ka qenë i lehtë. Unë në atë delegacion e plotësoj vendin e partive opozitare. Prandaj ju inkurajoj të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët karshi një procesi të vështirë. Para jush është një dokument, produkt i një pune disa javëshe e një punë jo e lehtë”, tha Gorani.