Arbëri

70 raste të kontrabandës me mallra vetëm në janar

Tre muaj që nga vënia e masës mbrojtëse, krerë të ndryshëm institucionalë kanë reaguar për kontrabandimin e mallrave serbe e boshnjake në vend.

Por, këtë po e mohon kategorikisht drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, raporton KTV.

Berisha vazhdon të thotë se sasia e mallit të zënë në tentim për shmangie të procedurave doganore, ka një rritje të lehtë.

Ani se 70 raste janë zënë vetëm në muajin janar, shifra thotë se është e përafërt me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Megjithëkëtë, ekipet e anti-kontrabandës, të cilat vizitat i kishin të reduktuara në katër komunat veriore, që nga vënia e masës, janë shpeshtuar.

Njohësi i zhvillimit ekonomik, Berim Ramosaj, tregon se kontrabanda dëmton buxhetin e shtetit, pasi produktet hyjnë në treg pa tarifë doganore dhe tatim mbi vlerën e shtuar.

Ministria e Tregtisë, gjatë së enjtes, ka lëshuar urdhëresë, duke detyruar Inspektoratin e Tregut që t’i inspektojë operatorët ekonomikë me qëllim të verifikimit të dokumentacionit të importit dhe tregtimit të produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Luftim të grupeve kriminale të kontrabandës kërkoi edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë së premtes.