Arbëri

Ish-ambasadori amerikan në Shkup zëvendëson Wess Mitchellin – çfarë thoshte ai për Kosovën

Foto: Alban Bujari / Koha

Diplomati i karrierës, Philip Reeker, do të zëvendësojë Wess Mitchellin në postin e Ndihmës-Sekretarit Amerikan të Shtetit në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, duke filluar nga 18 marsi, raporton gazeta greke “ekathimerini”.

Reeker ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Maqedoni nga 2008 deri më 2011 dhe Zëvendës-ndihmës sekretar amerikan i Shtetit në Byronë për Çështje Evropiane dhe Aziatike nga 2011 deri më 2013.

Më 2013, Reeker kishte vizituar Kosovën, ku kishte takuar presidenten e atëhershme, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçin, raporton Koha.net.

Në takim me Jahjagën, Philip Reeker, në cilësinë e Zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, kishte theksuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu rëndësinë e zbatimit të saj, “meqë kjo mundëson relaksimin e raporteve ndërmjet dy vendeve”.

Ai pati thënë se Kosova dhe rajoni i Ballkanit kanë shënuar përparime në rrugën e integrimeve dhe vlerësoi se është me rëndësi pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale dhe kontributi i saj në këto nisma.

Në takimin me Thaçin, Rreker pati ritheksuar vazhdimësinë e përkrahjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun dhe kishte përgëzuar kryeministrin e atëhershëm Thaçi për “përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës”.

“SHBA-ja mbështet integritetin territorial të Kosovës”, pati theksuar Reeker asokohe, duke shtuar se “dialogu duhet të vazhdojë për të ecur përpara drejt integrimit dhe fqinjësisë së mirë”.

Por, Zëvendës-ndihmës sekretari i atëhershëm amerikan i Shtetit, Philip Reeker, pati adresuar kritika ta ashpra në adresë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar për pengimin e proceseve, pengim të punës së institucioneve dhe punës së diplomatëve (duke iu referuar incidentit me ambasadoren e atëhershme të SHBA-së në Kosovë, Tracy Ann Jackobson).

Image

Këto komente, Reeker i pati bërë gjatë një konference për gazetarë, i shoqëruar nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, me ç’rast pati zhvilluar takime edhe me udhëheqësit e partive politike, përpos atyre të Vetëvendosjes.

Reeker pati porositur Vetëvendosjen dhe të gjithë ata që, si pati thënë ai, “kanë sjellje të palaqove”, të kenë parasysh se ai, ambasadorja Jackobson apo cilido diplomat tjetër amerikan nuk përfaqësojnë vetveten, por shtetin amerikan dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara.

“‘Palaçot’ që duan të luajnë dhe të jenë të dhunshëm duhet të mendohen dy herë për veprimet e tyre për të ardhmen e vendit të tyre”, pati thënë Reeker, duke i porositur tutje që sjellje të tilla nuk i takojnë shekullit XXI.

Kritikat e diplomatit amerikan patën pasuar protestat e atëhershme të Vetëvendosjes për pengimin e ratifikimit të marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjatë të cilave u pengua edhe Ambasadorja Amerikane të hynte në ndërtesën e Parlamentit, ku pati pësuar edhe një lëndim të lehtë në krah.