Arbëri

D’Addario: Shmangni retorikën nxitëse

Foto: Alban Bujari

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Lorenzo D’Addario, ka apeluar te politikanët të shmangin retorikën nxitëse duke paralajmëruar se edhe deklarata më e vogël mund të çojë në incidente.

Duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, gjenerali D’Addario ka thënë se nuk ka asnjë indikacion se do të mund të vijë deri te ndonjë incident. Ai në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, ka thënë se e shqetësojnë deklaratat që vijnë nga të dyja anët.

“Retorika mund të krijojë atmosferë të tensionuar, ku incidenti më i vogël mund të kthehet në incident të madh. U bëj thirrje të gjitha palëve të shmangin retorikën e ashpër”, thotë D’Addario.

Ai rikujtoi se KFOR shpesh kryen ushtrime në tërë territorin e Kosovës, duke shtuar se dëshiron të jetë gjithmonë i gatshëm për t’iu përgjigjur çfarëdo sfide.