Arbëri

Shqipëria heq ndalesën për import të veturave më të vjetra se 10 vjet

Foto: Koha

Prej janarit të këtij viti në Shqipëri nuk lejohet importi i automjeteve më të vjetra se 10 vite nga prodhimi.

Vendimi i marrë në mbrojtje të mjedisit mësohet se është kërkuar të ndryshohet prej Ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku.

Burimet janë shprehur për “Oranews” se grupit të punës i është kërkuar nga Ministrja të rishikojë vendimin e dhënë prej paraardhësit të saj, duke favorizuar kështu tregtarët e makinave të vjetra e duke ndikuar njëkohësisht në ndotjen e mjedisit.

Propozimi vjen në një kohë kur Shqipëria renditet në vendet me nivelin më të lartë të ndotjes, madje disa herë më shumë se norma e lejuar prej Bashkimit Evropian.

Sipas një raporti të OBT, niveli i ndotjes është i barabartë me konsumin e 7 cigareve në ditë. Madje ekspertët shprehen se në Shqipëri 50 për qind e ndotjes së mjedisit vjen si shkak i gazrave të automjeteve.

Në Tiranë numri i makinave për km2 llogaritet të jetë më i madh se Amsterdami apo Berlini.

Pikërisht në këto kushte u vendos që të ndalohej futja në Shqipëri e makinave të vjetra, duke kërkuar si kusht konsumin e euro 5.

Kjo pasi një makinë e vjetër ndot 4 herë më shumë se një automjet i ri.

Por në kushtet kur vendet e BE po kërkojnë që në qarkullim të lejohen vetëm me euro 6, duke stimuluar me projekte daljen nga tregu te makinave të vjetra në Shqipëri, Ministrja Balluku kur nuk ka mbushur një muaj nga marrja e detyrës, duket se ka vendosur të rihapë portin për mjetet e vjetra.