Federata Aeronautike e Kosovës mohon të jetë paguar nga shteti për 11 vjetorin e Pavarësisë Foto: Driton Paçarada / Koha

Federata Aeronautike e Kosovës mohon të jetë paguar nga shteti për 11 vjetorin e Pavarësisë

22 February 2019 22:53

Federata Aeronautike e Kosovës (FAK) ka sqaruar se për performancën e tyre në ditën e pavarësisë kanë kontratë vetëm 800 euro e jo rreth 12 mijë euro, siç thuhet në dokumentin e Qeverisë, të cilin e ka siguruar KTV-ja.

FAK thotë se të gjitha parashutat dhe pajisjet përcjellëse që u përdorën në ditën e pavarësisë janë prona private të pilotëve dhe për to nuk janë paguar sa ka deklaruar qeveria përmes kompanisë që e angazhoi për organizimin e festës së pavarësisë.

“Të gjitha parashutat dhe pajisjet përcjellëse të përdorura në këtë paradë për ditën e Pavarësisë janë prona personale të secilit pilot që ka bërë fluturimin dhe nuk janë pronë e Federatës apo e ndonjë organizate tjetër. Këto parashuta nuk janë dizajnuar veçanërisht për ditën e Pavarësisë por ato janë pajisje ekzistuese, që prej vitesh i posedojnë këta pilotë dhe i përdorin për fluturime”, thuhet në sqarimin e Federatës Aeronautike.

Aty shtohet se as pilotët nuk janë paguar fare për fluturimet por vetëm për shpenzime logjistike.

“Të gjithë paraglajdistët këtë performansë/fluturim e kanë bërë në baza vullnetare dhe pa asnjë kompensim nga Federata apo nga ndonjë organizatë tjetër”, përfundon sqarimi i FAK-së.

KTV-ja ka siguruar listën e shpenzimeve që janë bërë për organizimin e kremtes së 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme