Arbëri

Komandanti i Forcave Tokësore të Kosovës ndoqi nga afër ushtrimet fushore të Ushtrisë turke

Në Turqi nga data 19 deri më 22 shkurt 2019 janë mbajtur dy ushtrime fushore nga Forcat Tokësore të Ushtrisë turke.

Atje i përcolli nga afër edhe komandanti i Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjeneral brigade Enver Cikaqi.

Qëllimi i vizitës ishte pjesëmarrja në DV-day të dy ushtrive fushore që u realizuan në Turqi, gjatë muajit shkurt.

Me datë 20 shkurt, gjeneral Cikaqi mori pjesë në DV- day të ushtrimit vendkomandë „Cooperative Resolve 2019“, ushtrim që u realizua në Qendrën e Trajnimit dhe Edukimit në Ankara.

“Gjatë vizitës në këtë qendër, gjenerali u prit nga komandanti i Forcave Tokësore të ushtrisë turke gjenerali Umit Dundar, i cili shprehu gatishmërinë e ushtrisë turke për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Forcave Tokësore të dy ushtrive”, shkruhet nëkomunikatën e dërguar nga Ministria e Mbrojtjes.

“Me gjithë se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ishte e angazhuar në këtë ushtrim, me anë të kësaj vizite, angazhimi i pjesëtarëve të FSK-së, në kuadër të këtij ushtrimi në vitet e ardhshme do t’i kontribuonte përmirësimit të trajnimit, bashkëpunimit dhe ndërveprimit të FSK-së, në raport me shtetet e rajonit. Në po të njëjtën datë, gjeneral Cikaqi u prit në darkë zyrtare nga gjenerali Dundar, ku ishin të pranishëm edhe gjeneralë të tjerë dhe shefa të ushtrive të rajonit dhe më gjerë”, shkruhet më tej në këtë komunikatë.

Më datë 21 shkurt 2019 gjeneral Cikaqi mori pjesë në realizimin e demonstrimeve të ushtrimit “Dimri”, ku ishin pjesëmarrës shtatë pjesëtarë të FSK-së.

Qëllimi i këtij ushtrimi ishte testimi i kapaciteteve luftuese të njësive dhe përmirësimi i sinkronizimit të zjarrit dhe manovrimit në kushte dimri. Në këtë ushtrim morën pjesë rreth 1750 pjesëtarë nga 15 shtete të rajonit, duke përfshirë Kosovën, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Gjeorgjinë, Azerbajxhanin, Bangladeshin, Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë e të tjera.