Ka nisur procesi i krasitjes së pemëve, moti si i porositur

Ka nisur procesi i krasitjes së pemëve, moti si i porositur

22 February 2019 09:00

Ngritja e temperaturave gjatë ditëve të fundit në Kosovë, ka bërë që shumë fermerë ta fillojnë procesin e krasitjes së pemëve.

Këto temperatura nuk pritet të kenë ndonjë efekt negativ në procesin e krasitjes e as në zhvillimin e frutave, pasi shumë shpejt pritet një rënie e konsiderueshme e temperaturave, e që konsiderohen të mirëseardhura për pemët. Kështu thotë profesori i pemëtarisë në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Vahid Avdiu.

Moti i mirë dhe ngritja e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka bërë që në shumë rajone të vendit fermerët të fillojnë me procesin e krasitjes së pemëve. Sipas profesorit të pemëtarisë dhe vreshtarisë në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Vahid Avdiu, temperaturat që po mbizotërojnë në këtë kohë, janë normale. Ai tha se të dhënat sinoptike tregojnë se gjatë kësaj fundjave sërish do të rikthehen reshjet e shiut dhe borës dhe ulje të temperaturave.

“Temperaturat tash afërsisht janë edhe normale për këtë kohë. Temperaturat e ditës fillojnë të ngritën ndërsa ato të natës ende janë në minus, do me thënë temperatura të ulëta, gjë që pritet edhe gjatë fundit të javës rënie të temperaturave. Rënia e temperaturave është e mirëseardhur për kohën në të cilën jem, ndërsa sa i përket krasitjes pothuajse rastet që i kanë fermerët plantacione të mëdha afati optimal veç ka hy për të filluar krasitjen”, tha ai.

Profesor Avdiu në një intervistë për Radio Kosovën ka thënë se ky mot nuk ka asnjë efekt negativ as për pemëtarët që e kanë kryer krasitjen, por as për ata që pritet ta bëjnë gjatë ditëve në vijim.

Nuk ka ndonjë efekt të dëmshëm edhe te ata që e kanë kryer pasi bimët e kanë kaluar periudhën e jarovizimit, periudhën të cilën duhet t’u nënshtrohen temperaturave të ulëta. Nëse kryhet pak ma vonë, ndikon në njëfarë mase të vogël në shtyrjen e vegjetacionit të bimëve, çka është pozitive për shkak se bimët vazhdimisht janë të rrezikuara nga ngricat e vonshme pranverore gjatë marsit dhe prillit, siç ka ndodhur edhe para një viti.”

Ndërsa, se ngritja e temperaturave është momentale dhe brenda normave të parapara, e ka thënë edhe profesori i meteorologjisë në Universitetin e Prishtinës, Sylë Tahirsylaj. Ai tha për Radio Kosovën se masat ajrore të nxehta që, sipas tij, kanë ardhur nga Afrika Veriore, do të jenë të paqëndrueshme dhe në fundjavë priten reshje shiu e pastaj edhe bore, duke u ulur temperaturat nga -8 deri -4 gradë celsius minimalja deri në plus 5 deri gradë celsius maksimalja e ditës.

“Kjo luhatje është dukuri meteorologjike e cila është plotësisht në konditat normale të stinës në të cilën ndodhemi dhe ka efektin pozitiv që pemëtaria mos të ketë mundësi të punojë, të zhvillohet. Dhe javën e ardhshme përsëri na pret stabilizim i motit, kjo është një fazë kalimtare e cila është e pranishme në territorin e vendit tonë por njëkohësisht edhe të rajonit”.

Afati optimal i krasitjes së pemëve në Kosovë, duke u bazuar në kushtet klimatike, është nga fundi i shkurtit deri në gjysmën e parë të muajit mars, mirëpo kjo mund të fillojë edhe më herët, varësisht nga temperaturat që mbizotërojnë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme