Tahiri e Lekaj tregojnë sa të ndarë janë rreth taksës PDK-ja e AAK-ja

Tahiri s’përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja, Lekaj thotë se taksa s’hiqet

21 shkurt 2019 20:21
21:34

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nuk ka përjashtuar prishjen e koalicionit qeverisës për shkak të taksës ndaj mallrave serbe.

Në Rubikon të KTV-së, anëtari i PDK-së ka thënë se Qeveria Haradinaj duhet të vendosë a dëshiron ta mbajë taksën dhe të prishë relacionet me SHBA-në apo të marrë drejtim tjetër.

“Nëse s’hiqet taksa, duhet të dimë që do të prishen relacione me SHBA-në. Duhet të vendosim a duam ta mbajmë taksën e të prishim relacionet a të shkojmë në drejtim tjetër. S’e duam këtë, por besoj të ecim drejt një pike të përbashkët. S’mundemi të paragjykojmë, se a do të ketë zgjedhje apo çka...”, ka thënë Tahiri teksa e menjëhershme ishte përgjigja e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili vjen nga radhët e AAK-së.

“Edhe nëse shkojmë në zgjedhje taksa mbetet”, ka thënë Lekaj duke shtuar se partnerët e koalicionit janë të ndarë në qëndrime vetëm sa i përket taksës.

20:42

Lekaj thotë se SHBA-ja s’ka bërë asnjë sanksion ndaj Kosovës

Image

Sipas ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, është përplasur me ministrin tjetër të qeverisë Haradinaj, Abelard Tahirin, lidhur me sanksionet nga SHBA-ja ndaj Kosovës për refuzim të pezullimit të taksës ndaj mallrave serbe.

Teksa Tahiri i PDK-së tha se sa më shumë që shtyn Kosova vendimin për pezullim të taksës, aq më shumë do të thellohen sanksionet nga Amerika, ministri që vjen nga AAK-ja ka thënë se pos letrave asnjë sanksion nuk ka ardhur nga Amerika.

Lekaj po ashtu ka thënë se pret që koalicioni të vazhdojë deri në fund të mandatit, për dallim nga Tahiri i cili përsëriti fjalët e të parit të PDK-së, Kadri Veseli, se “do të jenë në qeveri deri kur nuk preken interesat e qytetarëve”.

Kujtojmë që pas refuzimit për heqjen e taksës, u anulua vizita e komandantit të gardës kombëtare të Iowas, Timothy Orr, si dhe u refuzua viza për Haradinajn për Lutjet e Mëngjesit.

20:28

Tahiri thotë se Haradinaj mund të bindet për pezullimin e taksës

Image

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në Rubikon të KTV-së lë të kuptohet se kryeministri Ramush Haradinaj mund të bindet për pezullim të taksës.

Duke folur për takimet e shumta që ka koalicioni qeveritar lidhur me këtë temë, ai tha se bisedimet kanë filluar të marrin një drejtim.

“Nuk kisha me thënë se takimet janë krejt pa sukses, mendoj që kanë arrit të marrin një drejtim. Ne sot nuk e kemi nga SHBA-të një afat se deri kur mund ta shtyjmë porse mendoj që sanksionet do vazhdojnë duke u thelluar”, ka thënë ai.

Tahiri tha që po punojnë shumë që plani i kryetarit të Kuvendit për pezullim 120 ditor i taksës të jetësohet.

20:21

Tahiri e Lekaj tregojnë sa të ndarë janë rreth taksës PDK-ja e AAK-ja

Image

Dy ministrat e Qeverisë Haradinaj, Abelard Tahiri i Drejtësisë dhe Pal Lekaj i Infrastrukturës, kanë dëshmuar edhe njëherë ndarjen në koalicionin qeveritar në qëndrimin rreth taksës.

Në Rubikon të KTV-së, Tahiri që vjen nga radhët e PDK-së ka thënë se i vjen keq që për shkak të Qeverisë në të cilën ai bën pjesë, po zbehet mbështetja e SHBA-së.

Ai përmendi se Kosova ishte ndër tri shtetet që administrata e re e presidentit amerikan Donal Trump nuk ia zvogëloi fondet dhe mbështetjen. Mirëpo, sipas tij, si pasojë e mos respektimit të qëndrimit amerikan për të pezulluar taksën, kjo mbështetje po fillon të zbehet.

“Ne vizitën time kur kisha në SHBA, një gjë që më është konfirmuar është që në administratën e Trumpit Kosova është në listën e tri shteteve që nuk ju kanë zvogëluar fondet nga Shtetet e Bashkuara dhe ne tash vijmë në një situatë ku ndaj neve fillojnë sanksionet. Jemi në një pozicion ku duhet të respektohet qëndrimi i Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Tahiri.

Në anën tjetër, Lekaj i AAK-së ka mbrojtur qëndrimin e kryeministrit Ramush Haradinaj se taksa s’duhet të hiqet e as të pezullohet siç ka propozuar PDK-ja.

“Nuk hiqet taksa dhe as nuk pezullohet dhe mendoj që është vendim i drejtë”, theksoi ai.

Në këtë pikë, Lekaj tha se AAK e PDK kanë dallim substanciale.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme