Arbëri

I zhgënjyer me Kuvendin, Bahtiri te Thaçi me peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Kryetari i Mitrovicës Jugore Agim Bahtiri, është i zhgënjyer që Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka shqyrtuar peticionin për bashkimin e Mitrovicës.

Por, Bahtiri të enjten pasi peticionin me më shumë se 16 mijë nënshkrime e dorëzoi te presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se është pak e rëndësishme se kush e përkrahë e kush jo këtë peticion.

Ai ka kërkuar që të mos ketë përplasje brenda institucioneve, por të jenë bashkë për të mirën e qytetarëve.

“Po ia bëj me dije kryeministrit dhe MAPL-së, se Mitrovica është e bashkuar dhe kjo, sa më shpejt që është e mundur të shfuqizohet vendimi. Se a e përkrah kush a jo, është pak e rëndësishme. Me përjashtim të kryeministrit, të gjithë liderët e përkrahin. Mos të më detyrojnë të shkoj më tutje”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri ka insistuar se ka përkrahjen e presidentit për bashkimin e Mitrovicës.

Por, Zyra e Presidencës nuk ka lejuar mediat të përcjellin takimin. Administrata e Kuvendit ka thënë se gazetarët nuk mund të lejohen të hyjnë brenda pasi nga Zyra e Presidentit kanë thënë se nuk ka pasur ftesë për këtë takim.

KTV-ja ka pyetur presidentin se pse e ka pranuar peticionin nëse nuk i ka plotësuar kriteret sipas vendimit të MAPL-së dhe cili është qëndrimi i tij për bashkimin e Mitrovicës, por Zyra e tij nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës.