Arbëri

Rrustemi thotë se duhet denoncuar papërgjegjësia e Thaçit rreth KQZ-së

Adnan Rrustemi, ish-anëtar nga Lëvizja Vetëvendosje në KQZ, në Express Intervistën në KTV, ka folur për bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

Ai tha se Thaçi po e bën këtë veprim vetëm për bllokim, po s’po përdor obligimet kushtetuese që ai ka.

“Thaçi e ka bërë KQZ-në të bllokuar nga marsi i kaluar. Duhet denoncuar papërgjegjësia e presidentit që s’po zhbllokon këtë institucion të pavarur”, tha ai.

Bllokimi i KQZ-së, është e qëllimshme dhe e ndikuar politikisht, tha Rrustemi.

“Ai po cenon kapacitetet vepruese të KQZ-së”, tha tutje.

Rrustemi, duke folur për KQZ-në, tha se “PDK-ja, nuk do ta ketë përfaqësimin politik në KQZ. Opozita do të ketë përfaqësim më të madh, mund të them, dyfishim”.

Nga bllokimi që ka bërë presidenti Thaçi, sipas Rrustemit, rreth 40 asamblistë presin më shumë së një vit për të marrë detyrën,kuvendet komunale janë dëmtuar nga mos certifikimi i këtyre asamblistëve, madje shumë projekte e aktivitete të KQZ-së janë pamundësuar dhe shumë iniciativa të mbështetura nga organizata ndërkombëtare që kanë të bëjnë më ngritjen e kapaciteteve vepruese të KQZ-së kanë dështuar.

Sipas Rrustemit, në fund të vitit të kaluar, zyra e presidentit në mënyrë joformale, ka dërguar e-maile që secila parti të dërgojë anëtarët e propozuar për KQZ. Sipas tij, më vonë përsëri e ka bërë të njëjtën kërkesë, dhe prapë, thotë se presidenti Thaçi s’po ndërmerr veprime të duhura.

“Nuk kemi kohë për zvarritje të mëtutjeshme të KQZ-së, duhet sensibilizim gjithëpërfshirës për ta theksuar ndërhyrjen e Thaçit që po bëhet në KQZ”, tha ai.