Klinaku: Sa dhe pse ka ndryshuar qëndrimi amerikan në lidhje me raportet Kosovë-Serbi

Klinaku: Sa dhe pse ka ndryshuar qëndrimi amerikan në lidhje me raportet Kosovë-Serbi

20 February 2019 20:19

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, ka shprehur bindjen se qëndrimi amerikan në raport me Kosovën ka ndryshuar. Në një postim të tij ai ka shkruar sa dhe pse ndryshoi ky qëndrim.

“Fillimisht, që është shumë e rëndësishme, qëndrimi dhe mbështetja e SHBA-ve për Kosovën dhe pavarësinë e saj nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Ndryshimi i qëndrimit amerikan ka të bëjë vetëm me raportet Kosovë-Serbi, përkatësisht me mënyrën e zgjidhjes së problemeve të mbetura Kosovë-Serbi pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë Klinaku.

Sipas tij, deri në vitin e kaluar SHBA-të kanë mbajtur qëndrimin e palëkundur se çështjet e mbetura të pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të gjenden brenda kufijve ekzistues dhe nuk ka lejuar që palët të dalin jashtë këtyre kornizave.

“Kështu, për të mos lejuar që Serbia të renditet në krahun lindor, pra në krahun rus, SHBA-të janë angazhuar që Serbia të shkojë në drejtim të BE-së dhe për arritur këtë padyshim që Serbia do të duhej ta njohë Kosovën dhe të ketë një marrëveshje për kufijtë. Por, pas shumë vitesh, kjo ka rezultuar e pamundur, përkundër lëshimeve të mëdha që SHBA-të i kanë bërë Serbisë në Kosovë, përmes bisedimeve të Brukselit. Kjo duhet të jetë arsyeja e parë pse SHBA-të, përmes zyrtarëve më të lartë e kanë bërë qartë se tani e tutje, për të ecur përpara, çështja e kufijve nuk do të jetë tabu temë dhe mund të hapet për diskutim nëse ajo çon drejt një marrëveshje përfundimtare”, ka thënë ai.

Arsyeja e dytë, sipas tij, bashkë me ngutjen për të gjetur një rrugë tjetër zgjidhjen e këtij problemi është përpjekja amerikane për ta penguar shtrirjen energjike të ndikimit rus në hapësirat ballkanike.

“Të paktën kështu thonë të gjitha raportet e CIA-s dhe DASH-it. Pra duke gjetur një zgjidhje Kosovë-Serbi edhe Serbisë i hapet rruga drejt BE-së dhe larg Rusisë, edhe Kosova e shqiptarët forcohen si një elementë antirus në Ballkan”, ka thënë ai, përcjell Koha.net. “Këtë ndryshim të qëndrimit amerikan duhet marr shumë seriozisht. Çdo neglizhim që i bëhet këtij faktori mund të na kushtojë shumë shtrenjtë”, ka shtuar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme