Veseli: Taksa po përdoret për konsum të brendshëm

Veseli mohon qeveri pa AAK-në brenda këtij mandati

20 February 2019 20:19
21:26

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka mohuar zërat për një qeveri të re pa AAK-në duke shtuar se dëshiron që qeveria aktuale të qëndrojë deri në fund të mandatit.

Megjithatë, ka theksuar se “nuk do të jetë kryetar i Kuvendit nëse është pjesë e një koalicioni që nuk punon për interesat e vendit”.

Duke folur për qeverisjen me Isa Mustafën, ai la fajtor ish-kryeministrin se rrëzoi veten duke mos arritur të garantonte votat e deputetëve të LDK-së për ta votuar demarkacionin.

“Nëse 11 deputetë të PDK-së votojnë kundër ose unë nuk do të jem kryetar i PDK-së, ose ata s’do të jenë në PDK”, ka thënë ai.

Ai shtoi po ashtu se do të jetë kandidat edhe për një mandat të ri në krye të PDK-së, teksa ka komentuar edhe ndikimin e ish-kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, tash president i vendit, në partinë e tij. Ka thënë se “tash presidenti është me rol të pavarur”.

I pyetur nëse Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa do të ishte një kandidate e mundshme e propozuar nga PDK-ja në një qeveri gjithëpërfshirëse, duke qeshur Veseli tha se “nuk e di nëse ka ekzistuar ndonjërë kjo ide”.

“PDK ka dhënë mjaft kryeministra”, theksoi ai.

21:10

Veseli nuk është për qeveri gjithëpërfshirëse, e quan “qeveri tallava”

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se nuk është për një qeveri gjithëpërfshirëse.

Një qeveri e tillë, sipas tij, është “qeveri tallava”.

“Nuk ka nevojë për një qeveri tallava të cilëve ju ngopen veç egot e atyre për të qenë në pushtet. Ka nevojë për të marrë përgjegjësi, ta kryejmë këtë punë që e kemi, përballja me Serbinë. Nuk po i marrin përgjegjësitë dhe na kanë bllokuar, të paktën janë treguar të sinqertë dhe kanë treguar që po duan pushtet”, ka thënë Veseli.

21:08

Veseli as s’e pohon as s’e mohon se Konjufca ka qenë në SHIK

Ish-kreu i Shërbimit Informativ të Kosovës, SHIK, Kadri Veseli, as nuk e ka pohuar e as nuk e ka mohuar se a ka qenë Glauk Konjufca, pjesë ek ësaj organizate.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se nuk dëshiron që të flasë për këtë çështje.

“Shkojmë tutje. Nuk është pjesë e diskutimit të kësaj studioje”, ka thënë Veseli.

Pas insistimeve ai ka thënë se “kushdo që i ka shërbyer vendit duhet të ndjehet krenar, por disa kanë mundur e disa nuk e kanë pasur këtë mundësi për shkak të moshës”, për ta lënë të paqartë përgjigjen rreth këtyre pretendimeve.

Veseli ka thënë se Prishtina dhe Kosova janë të vogla dhe dihet saktësisht se kush ka qenë pjesë e SHIK-ut.

“Tash nuk është momenti për të folur për këtë”, ka thënë Veseli.

Pretendimet se shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka qenë për një vit punonjës i SHIK-ut i tha në Kuvendin e Kosovës deputeti Dardan Molliqaj, që ishte bashkëpartiak i Konjufcës në Vetëvendosje, tash në PSD. Konjufca ka ushtruar “padi për shpifje” ndaj Molliqajt, në lidhje me këtë deklaratë.

20:59

Veseli: S’ka kurrfarë korrigjimi, s’ka Republika Serbe dhe ka veç një Mitrovicë

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se qëndrimi i tij për dialogun me Serbinë është që nuk duhet të ketë kurrfarë korrigjimi të kufijve, as s’duhet të ketë asociacion me komuna me shumicë serbe me fuqi ekzekutive e do të ketë vetëm një Mitrovicë.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se dialogu nuk do të sjellë korrigjim as të lehtë e as të rënd të kufirit.

“Qëndrimi im është i qartë: Nuk ka korrigjim as të lehtë as të rëndë. S’ka Republika Serbe e as Kosovë pa Mitrovicë. Mitrovica është një. Administrativisht le të quhen si të duan, por është një. Mitrovica është dhe do të jetë një. Është veç Kosovë. Në një komunë do të jetë kur të duan qytetarët e dy komunave. Janë bërë dy njësi administrative, por s’ia prish kush hijeshinë. Do të jetojnë shqiptarët, serbët e do t’iu kthehen pronat familjes së Isë Boletinit”, ka thënë ai.

20:58

Veseli: Haradinaj nuk më tha mua qenef

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se fjala qenef të cilën e tha kryeministri Ramush Haradinaj pas fjalimit të të parit më 17 shkurt, nuk ishte drejt tij.

Në Rubikon të KTV-së, Veseli ka thënë se fjala qenef nuk ishte drejtuar për të, teksa ka shtuar se duhet pyetur Haradinaj lidhur me këtë çështje.

20:49

Veseli: Kosova s’dorëzohet para Serbisë, por po para SHBA-së

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se Kosova mund të dorëzohet para kërkesës së SHBA-së për heqjen e taksës, por nuk do të dorëzohet kundër Serbisë.

Në Rubikon të KTV-së, Veseli ka thënë se është i hapur për çdo propozim për taksën, e që sipas tij, duhet të jetë në të mirë të vendit.

“Taksës duhet t’i gjendet një zgjidhje e cila është për të mirën e Kosovës dhe aleatëve të Kosovës. Nëse problematika është propozimi 120 ditor, atëherë le të jetë një propozim i kujtdo veç në të mirë të vendit. Më e rëndësishme mbi tërë neve, është shteti i Kosovës. Nuk ka vlerë asnjë qeveri, asnjë mandat, asnjë Kuvend përball fatit këtij vendi. Po ta pyetni edhe Haradinajn, të njëjtin mendim do ta japë. Ka ta bëjë vetëm me racionalitetin. Nuk ka heqje të taksës kur na kërkon Serbia dhe kur lodhemi ne e të dorëzohemi para Serbisë, para SHBA-së po”, ka thënë Veseli.

Veseli dhe partia e tij, PDK, kanë propozuar pezullimin e taksës për 120 ditë pas kërkesave të vazhdueshme nga SHBA-ja. Megjithatë, kryeministri Ramush Haradinaj po refuzon heqjen e saj.

20:30

Veseli nuk saktëson se kur koalicioni do të dalë me një qëndrim për taksën

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në Rubikon të KTV-së nuk e saktësoi se kur koalicioni qeveritar do të dalë me një qëndrim të unisuar karshi taksës.

“Për aq sa nuk dëmtohet vendi im”, ka thënë Veseli i pyetur se sa do të presë që të merret një vendim karshi kërkesës së SHBA-së për pezullimin e taksës.

“Qeveria nuk do të bie asnjëherë për qejf të Serbisë dhe për hir të taksës. Ai e ka në fakt një shqetësim [Haradinaj] por nuk mendoj që është popullizëm. Çka po flas është se ne duhet ta dëgjojmë SHBA-në, ata duan ta ndalin ndikimin rus në Ballkan. Maqedonia e Mali i Zi janë në NATO, ne nuk jemi, hajde të bëhemi të gjithë bashkë kundër Serbisë, ta lëmë vetë Serbinë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se shpreson që të mos ketë më nevojë për luftë në Kosovë, ndërsa ka deklaruar se edhe vetë është i gatshëm për përballje me Serbinë.

“Ishalla nuk vjen ajo kohë por do të përballesha me Serbinë ashtu siç jam përballur para 20 vite. Ishalla nuk vjen lufta më, nuk është e mirë. 11 vjetorin e pavarësisë ka pak ditë që ka kaluar, tash po flitet vetëm a na njeh Serbia e jo të tjerët”. “Runa Zot të depërtojë në kufirin e Kosovës, nuk besoj që mund të rri në shtëpi. Mos e dashtë Zoti, po ma mirë është mu vra unë se sa një ushtar i FSK-së”.

20:24

Veseli thotë se nuk shtyhet me Haradinajn se cili është më i fortë

Kryeparlamentari Kadri Veseli thotë se shumë shpejt do të hyjë në fuqi plani i tij për suspendimin e taksës 100 për qind, teksa ka shtuar se nuk është në politikë për t’u shtyrë se kush është më i fortë.

Ai thekson se masa duhet të mbetet mirëpo për t’i hapur rrugë dialogut dhe për të ruajtur marrëdhënien me aleatët duhet që ajo të suspendohet.

“A mendon që do t’ia kënaqi zemrën Serbisë dhe ta destabilizoj gjendjen? Kjo i bie që asnjë gjest i imi nuk do ta destabilizojë vendin. Për qejf të Serbisë, çfarë kërkon Serbia, kundër reagoj. Unë në politikë nuk jam për tu shtyrë a është më i fortë Hashimi e Isa a Ramushi, unë jam veç për Vuçiqin”.

Veseli tha se letrat e aleatëve dërguar institucioneve të Kosovës janë pozitive.

Përderisa PDK-ja e Veselit ka kërkuar pezullimin e taksës, kryeministri Ramush Haradinaj ka refuzuar një gjë të tillë.

20:19

Veseli: Taksa po përdoret për konsum të brendshëm

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se taksa ndaj mallrave serbe ka kryer efektin dhe ka kaluar për konsum të brendshëm.

Duke përsëritur në Rubikon të KTV-së se ideja për vënien e kësaj takse ishte e partisë së tij, Veseli ka thënë se tash taksa është kthyer në konsum të brendshëm duke thumbuar kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili po refuzon të pezullojë taksën.

“Efekti i saj është kur e përball vetëm Serbinë mirëpo ka kaluar në konsum të brendshëm. Iishte një veprim i drejtë kundër Serbisë mirëpo kaloi në konsum të brendshëm”, ka thënë Veseli. “Ne kemi një iniciativë të SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë për një marrëveshje historike me Serbinë. Edhe BE, njëjtë edhe SHBA janë shumë të vendosur, synojnë mbylljen e konflikteve në Ballkan”.

“A do të duhej që taksa t’i shërbente dialogut apo përmes saj të merreshim vesh për marrëveshjen me Serbinë. Ne po flasim për një vendimmarrje që është racionale dhe Kosovën e bën më të fuqishme ndaj Serbisë”, ka shtuar më tej ai.

Kryetari i Kuvendit duke theksuar se është ai propozuesi i taksës 100 për qind tha se e bart përgjegjësinë e këtij propozimi.

“U kam thënë mos shkoni mi bë presion Ramushit, unë jam propozuesi i asaj mase... Nuk jemi këtu ta mundim kryeministrin po bashkë me kryeministrin të jemi më të fortë, ne jemi kundër Aleksandar Vuciqit”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme