Arbëri

Një delegacion i NATO-s vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes, u bisedua për tranzicionin e FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pritën sot në Ministrinë e Mbrojtjes një delegacion nga NATO, në krye me Jonathan Parish, zëvendësasistent i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për Operacione, si dhe drejtorin e Operacioneve dhe Misioneve të NATO-s, Michel Soula, njofton Ministria e Mbrojtjes përmes një komunikate për media.

Ministri Berisha dhe gjeneral Rama zhvilluan takime të ndara me delegacionin e NATO-s, në të cilat u bisedua kryesisht për situatën e sigurisë në Kosovë e rajon, zhvillimet rreth tranzicionit të FSK-së, marrëdhëniet Kosovë – NATO dhe perspektivën e këtyre marrëdhënieve në të ardhmen.

Krerët e FSK-së e njoftuan drejtorin e Operacioneve të NATO-s mbi zhvillimin e FSK-së, planet për të ardhmen, rikonfirmuan vullnetin e Kosovës për avancimin e marrëdhënieve me KFOR-in, NATO-n, si dhe konfirmuan vendosmërinë e Kosovës për anëtarësim në NATO.