Zaev takon Thaçin e Gashin për kandidatin për president

Zaev takon Thaçin e Gashin për kandidatin për president

19 February 2019 20:57

Partitë shqiptare në Qeverinë e Maqedonisë Veriore, janë të mendimit që të dalin me kandidat të përbashkët me LSDM-në për president, por për një vendim përfundimtar duhet të vendosin organet e partive.

Kështu thanë pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, kreu i Alternativës Afrim Gashi dhe ai i PDSH-së Menduh Thaçi. Zaev nga ana tjetër tha se kanë emrat favorit, por nuk përjashtohet edhe mundësia e kandidatit mbipartiak.

“Me rëndësi është që ka ambient për këtë punë. Për mua ky është hap serioz. Tani hapi i dytë është shumë i rëndësishëm. Ta shohim cili është ai personalitet. A ekziston personalitet ose personalitete të cilat do të na bashkonin. Është proces serioz. Mund të jetë edhe i pasuksesshëm, por unë besoj se nëse bëjmë përpjekje për shkak të shtetit dhe qytetarëve mund të kemi proces të suksesshëm”, tha Zaev.

Gashi dhe Thaçi treguan kriteret e tyre për kandidatin e mundshëm për president.

“Njëri prej kritereve tona bazë është cili kandidat ka përkrahje më të madhe të qytetarëve. Nëse është ndonjë kandidat që është mbi partiak apo partiak, aq më mirë. Nuk e kemi këtë problem. Mendoj se një kandidat partiak ndoshta do ti plotësonte këto kritere”, tha Afrim Gashi nga Alternativa.

“Unë në princip jam që duhet të jetë kandidat i Qeverisë, kandidat i qeverisë për shkak se është sinjali, simbolika e vërtetë e normalizimit të situatës më tutje. Nuk mund të themi për kandidatë të veçantë sepse janë shumë parti në pyetje”, tha Menduh Thaçi, PDSH.

Përderisa vazhdojnë negociatat e LSDM-së me partitë shqiptare, nga VMRO-DPMNE, deklarojnë se vendit nuk i duhet kandidat i partive të cilat nuk i mbrojnë interesat e shtetit.

“Zoran Zaev dhe zaevizmi në tërësi i nënçmojnë qytetarët, i nënçmojnë madje edhe mbështetësit e tyre. Është e qartë pse Zoran Zaev përmes zaevizmit ik edhe nga zgjedhjet e parakohshme”, tha Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

Ndryshe, Zaev paralajmëroi takim edhe me kreun e Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela dhe atë të Besës, Bilall Kasamin./AlsatM

Komentet

Shto koment

Të ngjashme