Peci: Përveç në AAK, në partitë tjera ka figura që përkrahin ndarjen e Kosovës

Peci sugjeron heqjen e taksës por me kushtëzim ndaj Serbisë

19 February 2019 20:41
21:27
Image

Lulzim Peci në Rubikon të KTV-së tha se nuk mund të qëndroj taksa, ajo duhet të pezullohet mirëpo me kushtëzim ndaj Serbisë.

“Opsioni me taksën është të pezullohet menjëherë. Taksa nuk i mbron kufijtë mes Kosovës. Taksa duhet të pezullohet dhe pezullimi duhet të jetë i kushtëzuar dhe ky kushtëzim duhet të jetë proporcional dhe i monitoruar në raport me Serbinë sepse nëse Serbia e vazhdon lojën e saj kundër Kosovës, e që veç është duke e bërë, atëherë do të mund ta kthenim taksën.”

Ai përmendi çështjen e demarkacionit, e cila sipas tij, la prapa Kosovën në shumë procese dhe njëjtë mund të ndodh në vazhdim nëse nuk veprohet më shpejt.

21:17

Deda: Taksa duhet të suspendohet, Thaçi është analfabet

Image

Deputeti Ilir Deda thotë se taksa duhet të suspendohet. Por, sipas tij, kjo duhet të bëhet duke e kushtëzuar me një kërkesë e cila do ta bënte Kosovën fitimtare dhe jo humbëse.

“Duhet me suspendu taksën por duhet me një marrëveshje tonën. Ramush Haradinaj duhet m’i thirr krejt partitë, s’ka lidhje as a është publike a jo. Ai është institucion, ai duhet me na thirr, me qenë unë kryeministër çdo ditë isha taku. Duhet me suspendu po duhet me dit saktë çka me kërku prej Perëndimit, çka nëse dështon marrëveshja për shkak të Serbisë, a do të na njohin 5 shtetet a jo.

“Hashim Thaci e ka përjashtu veten prej dialogut, nuk folet për kufijt, ti shkon e diskuton me Mogherinin por nuk fol për ndryshim të kufijve, Kosova në vend që me dal fitimtare, del humbëse. Tash është krijuar një opinion te të gjitha shtetet që ne duhet t’i japim dicka Vuciqit”. “Hashim Thaci është analfabet”.

20:41

Peci: Përveç në AAK, në partitë tjera ka figura që përkrahin ndarjen e Kosovës

Ndarja e Kosovës, sipas Lulzim Pecit, njohës i politikës së jashtme, po gjen aprovim edhe në partitë tjera, pozitë e opozitë. Sipas tij, nuk është vetëm presidenti Hashim Thaçi që po e shtyn përpara këtë ide.

Ai tha se nëse jo publike, brenda partive politike ka zëra që e çojnë përpara këtë çështje.

“Vetëm Aleanca është kohezive me qëndrim kundër ndarjes së Kosovës, vetëm AAK është kompakte, të gjitha të tjerët kanë brenda vetes zëra ndryshe, secila parti, edhe PSD, edhe LDK, të gjithë, mos t’i marrim ne vetëm deklaratat publike”.

“Ashtu është, kjo është evidente”, e konfirmoi deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda.

“Ndarjen e Kosovës nuk mund ta ndalë taksa ndaj Serbisë”

Njohësi i politikës së jashtme, Lulzim Peci, në Rubikon të KTV-së, tha se iniciativa për referendum është antikushtetuese.

“Referendumi për kufijtë e Kosovës është antikushtetues, nuk mundesh të bësh referendum sepse është kundër Kushtetutës. Duhet fillimisht të ndërrohet Kushtetuta”. Ai është i sigurt se komunikimi mes Kosovës dhe Serbisë nuk është ndalur, ajo mund të mos jetë publike mirëpo vazhdon të ndodh, për çka, thekson se taksa nuk po kryen tërësisht peshën e saj. “Nuk jemi të ulur në një tavolinë por kanalet e komunikimit në asnjë formë nuk janë të shkëputura”.

“Nëse dikush mendon që përmes taksës e ndalim ndarjen e Kosovës atëherë është shumë gabim. Ndarjen mundet me ndal vetëm serioziteti politik në Prishtinë dhe ai seriozitet nuk ekziston, ne bëjmë debate në parlament por nuk jemi tu sjell asgjë”, ka thënë Peci.

Kryeziu i cilëson si kërcënim letrat e aleatëve dërguar Kosovës

Image

Në Rubikon të KTV-së, analisti Ismet Kryeziu duke folur për gjendjen e krijuar, përmendi edhe letrat që presidenti Thaçi dhe institucionet e Kosovës kanë pranuar së fundmi nga aleatët, e që sipas tij, janë kërcënim për statusin e shtetit, të fituar me 17 shkurt 2018.

“Letrat drejtuar presidentit dhe institucioneve të Kosovës, thirrjet për zë unifikues, e ulin statusin e Kosovës së 17 shkurtit”, ka thënë ai. Sipas Kryeziut, klasa politikë në Kosovë po tregohet jo e sinqertë ndaj popullit duke mos ju drejtuar me deklarata të sinqerta me gjendjen aktuale. Ai tha se po ndodh e kundërta me shtetin serb. Presidenti i Serbisë ka çdo ditë deklarata drejtuar popullit të tij që të bëhen gati për një kompromis të dhimbshëm. Sipas tij, në Kosovë, liderët e shtetit e kanë kthyer politikën në personale duke ndikuar drejtpërdrejt në vendimmarrje.

“E kanë shndërruar në një politikë personale”. “Krejt ajo çka po ndodh me klasën politikë është ikje prej përgjegjësisë dhe mendoj që në një pjesë të madhe e gjithë skena politike”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Fast Eagle20/02/2019 09:06

"...e që sipas tij, janë kërcënim për statusin e shtetit, të fituar me 17 shkurt 2018."

Shto koment

Të ngjashme