Komisioni hetimor s’ka kujt t’ia paraqesë raportin për dëbimin e shtetasve turq

Komisioni hetimor s’ka kujt t’ia paraqesë raportin për dëbimin e shtetasve turq

19 February 2019 15:51

Komisionit Hetimor Parlamentar i formuar për të hetuar rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, i ka skaduar mandati pa arritur të paraqesë para Kuvendit raportin përfundimtar.

Për këtë arsye, kryetari i këtij Komisioni, Xhelal Sveçla, dhe nënkryetari Driton Selmanaj, javën e kaluar kanë ushtruar padi ndaj kryesisë së Kuvendit në Gjykatën Themelore në Prishtinë për siç thuhet se “ky organ nuk ka lejuar Komisionin që ta përmbushë mandatin e saj ligjor, duke mos lejuar që Komisionit t’i vazhdohet mandati i përcaktuar me ligj”.

Ky komision është funksionalizuar në muajin korrik të vitit 2018, ndërkaq në fund të vitit të kaluar kishte kërkuar nga kryesia e Kuvendit zgjatjen edhe për një muaj të mandatit në mënyrë që të arrijë të përfundojë punën për të cilën ishte formuar.

Komisioni ka për qëllim të hetojë rrethanat për ndriçimin e procedurave që çuan deri te deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova më 29 mars të vitit të kaluar.

Me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek.

Kryetari i këtij Komisioni, Xhelal Sveçla, dyshon se mungesa e një vendimi për t’i vazhduar mandatin këtij komisioni është bërë qëllimisht, pasi siç thotë ai, gjatë hetimeve janë identifikuar shkelje nga zyrtarë në pushtet.

Shkrimin e plotë mund ta gjeni në Radion Evropa e Lirë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme