Haradinaj: S’jam i gatshëm për zgjedhje, jam i gatshëm të punoj Foto: Koha

Haradinaj pranon se taksën po e mban edhe për vota

19 February 2019 14:48
15:49

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, vazhdon të këmbëngul se taksa ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk do të hiqen pa njohjen e Kosovës nga Serbia.

Por, i pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së qeverisë se nëse për taksën po këmbëngul për të mirën e vendit, por edhe për marrje votash, Haradinaj tha se këtë e bën për të dyja.

“Për të dyja. Nuk ndahen, por kësaj here, shikoni, ne jemi në politikë gjithë. Nuk e mohoj që çdo vendimi i imi ka implikime zgjedhore”, tha Haradinaj, transmeton rel.

14:48

Haradinaj: S’jam i gatshëm për zgjedhje, jam i gatshëm të punoj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se ideja e zëvendësit të tij, Behgjet Pacolli, për një takim të përbashkët të spektrit politik është ide e mirë.

“Më pëlqen ideja e Behgjet Pacollit për takim të përbashkët. Pse jo, një takim i mirë. Njohja nga Serbia duhet të vijë si kërkimfalje”, tha Haradinaj, raporton “Koha Ditore”.

Ndërkaq, sa i përket platformës për dialog, kreu i Qeverisë tha se konsultohet kohë-pas-kohe edhe me dy partitë opozitare, LDK-në e VV-në.

“Kur po kam mundësi po konsultohem edhe me ta. Nëse ata mendojnë që zgjedhjet janë të nevojshme, ata mund të përshpejtojnë, por këtë proces nuk e pengojnë nëse bëhen pjesë e këtij procesi të dialogut. Edhe VV edhe LDK duhet të kyçen në dialog”, theksoi Haradinaj.

Ai tha se zgjedhjet mund të vijnë çdo ditë dhe se për zgjedhje “nuk ka nevojë me u bë nervoz”.

“Mjafton të bëhen 61 deputetë. Nuk jam i gatshëm të shkoj në zgjedhje, jam i gatshëm të punoj”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit foli edhe për ndërmjetësen e dialogut Kosovë-Serbi, Federica Mogherinin, për të cilën tha: “Mogherini le ta nxjerrë atë dialog në dritë e mos ta mbajë të fshehtë”.

Në mbledhjen e Qeverisë, është aprovuar edhe themelimi i Komisionit për kontrollin e tregtisë me mallra strategjike.

Gjithashtu u miratua edhe strategjia për ndryshimet klimatike 2019-2028.

Është miratuar edhe propozim vendimi preliminar për shpronësimin e pronave të cilat preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Klinë-Zahaq.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme