217 mësimdhënës nga 60 shkolla në testin e vlerësimit të performancës

Dritë Slivova Polisi Dritë Slivova Polisi 18 February 2019 22:37

Në shkollën fillore “Elena Gjika”, ende nuk ka filluar vlerësimi i performancës së mësimdhënësve, sikur në 60 shkolla tjera të Kosovës.

Megjithatë, mësuesja e klasës së parë, Blerta Zeqiri-Hasani, thotë se e mirëpret këtë vlerësim, pasi do t’i inkurajonte mësimdhënësit për punë edhe më efikase me nxënës.

Ajo vetëm kërkon dhe pret që vlerësimi të jetë real, raporton KTV.

Vlerësimi i mësimdhënësve do të jetë i jashtëm dhe i brendshëm. Në vlerësimin e brendshëm, mësimdhënësit mund ta vlerësojnë veten, e kjo përbën 10% të vlerësimit, ndërsa drejtori i shkollës me 30%.

Më pas, vlerësimi i jashtëm bëhet nga Ministria e Arsimit, ku shtohen edhe 60% të pikëve tjera.

Dëfrim Gashi, drejtor i Inspektoratit të Ministrisë së Arsimit ka thënë se mësimdhënësit mund të dështojnë në këtë proces.

Në anën tjetër, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, dyshon se ky proces do të jetë i rregullt pasi, sipas kryetarit Rrahman Jasharaj, me 21 inspektorë sa ka Ministria e Arsimit, nuk mund të vlerësojë mbi 23 mijë mësimdhënës.

Pikërisht për shkak të numri të vogël të inspektorëve, zyrtarë të MASHT-it kanë thënë se procesi i vlerësimit mund të zgjasë deri në 5 vjet.

Megjithëkëtë, të gjithë mësimdhënësit në Kosovë do të kalojnë nëpër vlerësim të performancës së tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme