Haradinaj: Nuk duhet të bëjmë hapa prapa

Haradinaj: Nuk duhet të bëjmë hapa prapa

17 shkurt 2019 21:51

“Sot vërtetë është ditë feste për popullin e Kosovës, festojmë secili në mënyrën e vetë ashtu sikurse secili e përjeton në mënyrën e vetë këtë ditë. Kjo është ditë e përbashkët për të gjithë ne shqiptarët si shumicë por edhe komunitetet që bashkëjetojnë me ne ndër shekuj, shqiptarët kudo që jemi në trojet tona në Ballkan, njëkohësisht kudo që jemi në botë, pra është dita jonë, ditë gëzimi”.

Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalën e tij në pritjen shtetërore më rastin e shënimit të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj para të ftuarve të shumtë, përfaqësues institucionalë, përfaqësues të korit diplomatik, klerikë fetarë, tha se sa herë që vjen kjo ditë ndihet i emocionuar.

“Më kanë rënë në mend shumë etapa, përpjekje, sfida të jetës sonë, shumë dhimbje por njëkohësisht edhe shumë mësime të nxjerra. Ndër mësimet që më bën shumë përshtypje është se nuk duhet të bëjmë hapa prapa në asnjë mënyrë sepse vetëm rrugëtimi përpara e konfirmon përcaktimin tonë”, tha kryeministri Haradinaj, duke thënë se vendi është në një rajon të ndjeshëm dhe janë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e rajonit.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj theksoi dëshirën e vërtetë të Kosovës për të jetuar në paqe me popujt fqinjë mirëpo siç tha ai paqja duhet të jetë e drejtë, e cila respekton vullnetin e popullit të Kosovës të shprehur më 17 shkurt 2008.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme