Pilotit të parë të FSK-së po i mungon helikopteri

Pilotit të parë të FSK-së po i mungon helikopteri

Ardiana Thaçi Mehmeti Ardiana Thaçi Mehmeti 17 February 2019 19:54

Është i pari nga 2,500 pjesëtarët aktualë që ka Forca e Sigurisë së Kosovës, që ka provuar ndjenjën e të pilotuarit një fluturake.

Dhe, rrjedhimisht, Afrim Zabeli është piloti i parë i Ushtrisë së Kosovës.

Dy muaj pas diplomimit të tij, Zabeli është sistemuar në Brigadën e reagimit të shpejtë në Istog, raporton KTV.

Por, që nga ajo ditë, ai nuk ka pilotuar më.

Thotë se i mungon ndjenja e të qenit në ajër dhe kjo po ndodh pasi Kosova ende nuk posedon helikopter.

5 vjet i kreu në shkollën e Aviacionit Tokësor për Helikopterë në Turqi dhe rreth 13 muaj iu deshën që ta fitojë licencën e pilotit.

Ende thotë t’i ketë të freskëta minutat e para të pilotimit dhe atë se si iu dorëzua komanda nga inspektori.

FSK-së shpejt do t’i shtohen edhe dy pilotë të tjerë, që po ashtu janë duke përfunduar shkollimin për pilotë në Akademinë Ushtarake të Turqisë dhe Zabeli thotë se bashkërisht do ta formojnë njësinë ajrore të Forcës.

Zabeli, i cili në luftë humbi babanë dhe vëllanë, thotë t’ia ketë vënë vetes një mision.

Afrim Zabeli nga Rezalla e Drenicës, rrugëtimin e tij në Ushtrinë e Kosovës e kishte nisur në vitin 2011, e si pilot u certifikua një ditë para FSK-ja ta merrte epitetin e ushtrisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme