Arbëri

Qytetarëve u ka mbetur merak për të parë mjetet ushtarake në parakalimin e parë të ushtrisë

Që nga dita kur mori mandatin ushtarak, Forca e Sigurisë së Kosovës është prezantuar para qytetarëve të saj sot, në parakalimin e parë si ushtri e Kosovës.

Komandanti Suprem i FSK-së, Hashim Thaçi, ka dhënë urdhrin për nisjen e paradës, pas raportimit të bërë nga komandanti i paradës, gjeneralmajor Enver Cikaqi.

Bendi frymor i Forcës ka intonuar himnin shtetëror të Kosovës, në 11-vjetorin e shtetësisë.

Qindra qytetarë kanë parë parakalimin e ushtrisë së re të Kosovës.

Tetë njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë nisur parakalimin nga sheshi “Nënë Tereza”, për të vazhduar tutje në sheshet kryesore të Prishtinës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar jetik e të rëndësishëm vendimin për dhënien e mandatit ushtarak FSK-së, pasi, sipas tij, Forca ka dëshmuar se është e gatshme t’i kontribuojë paqes në rajon.

Presidenti ka folur edhe për sfidat që e presin Kosovën në vitin 2019.

Ai tha se, përveç synimit për anëtarësim në NATO, e rëndësishme është ruajtja e marrëdhënieve më SHBA-në dhe arritja e marrëveshjes finale me Serbinë.

Krenarë me trupat e FSK-së, janë ndier qytetarët e Kosovës, për të cilët ky parakalim ishte emocional, por që dëshirë e tyre ishte t’i shohin pajisjet e ushtrisë, e të cilat nuk u prezantuan në këtë paradë.

Qielli është mbuluar me paragllajdistë, të cilët kanë bartur flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe emra dhe mesazhe nga qytetet e Kosovës.