Haradinaj: Taksën nuk e heqim pa garancë për njohje - Amerikën e duam të gjithë me zemër Foto: Alban Bujari / ilustrim

Haradinaj: Taksën nuk e heqim pa garancë për njohje - Amerikën e duam të gjithë me zemër

16 February 2019 20:14

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj edhe sonte ka ripërsëritur qëndrimin e tij se taksa ndaj produkteve të Serbisë nuk hiqet, pa një kontratë garantuese për njohjen e Kosovës nga Serbia.

Haradianj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën për Siguri që po mbahet në Munih, në një konferencë para mediave, ka pohuar se Amerika nuk ka asnjë ushtri në botë më aleate se FSK-në, dhe nuk ka popull më aleat se shqiptarët.

“Parimi që ka vlejtur çdoherë për dialogun, ka qenë moskushtëzimi i dialogut. Është gabim që është lejuar dikur të devijojë dialogu, të bisedohet për kufij e territore, por edhe tani është gabim nga Zonja Mogherini të pranojë që Serbia, në këtë rast z. Vuçiq, të kushtëzojë kthimin në tavolinë, me heqjen e taksës. Taksa nuk bën të hiqet pa një kontratë, dhe duhet ta dimë se me çfarë kontrate obligative dhe ligjore, pra gjithëpërfshirëse, hyjmë me Serbinë. Njëra nga çështjet është edhe tregtia e lirë, në këtë rast, heqja e tarifës”, tha Haradinaj, raporton Ksp.

Ai ka pohuar se Amerika duhet të bëjë presion te Serbia për të mos kushtëzuar dialogun dhe të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Ne jemi vendi më aleat i Amerikës, se është folur edhe për marrëdhëniet me Amerikën. Është një kërkesë legjitime prej Amerikës, pezullimi i taksës, por sikurse e dini, vendimi për taksën është një vendim ligjor, pra nuk kemi shkel ndonjë ligj, është vendim i Qeverisë së Kosovës, i qeverisë sovrane dhe nuk është marrë në relacionin Kosovë – Amerikë, por është marrë në relacionin Kosovë dhe fqinji ynë, shkaku i veprimeve armiqësore ndaj Kosovës. Amerika besoj nuk ka popull me aleat se ne. Presim prej Amerikës, në vend që t’i bëjë preson veç Kosovës, ose veç institucioneve të sigurisë së Kosovës, si rasti që është paralajmëruar për FSK-në, FSK-ja është aleati më i mirë i Amerikës, ndoshta nga krejt ushtritë e botës. Këtë presion ta orientojë nga Beogradi, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje obligative ligjore, gjithëpërfshirëse, për njohje reciproke, që i hap perspektivë Kosovës për anëtarësim në OKB dhe në organizatat tjera ndërkombëtare, por po ashtu që siguron edhe tregtinë e lirë”, tha Haradinaj, raporton Kosovapress.

Ai tha se rruga e vetme është kthimi në tavolinë i Kosovës dhe i Serbisë pa kushte. “E tha edhe Presidenti në fjalën e vet, se ne jemi viktimë, pasi Serbia ka kryer krime në Kosovë. Nëse dikush është dashur të vendosë kushte, do duhej të vendosnim ne, sepse ne jemi viktima, pasi Serbia ka kryer shumë krime në Kosovë”, theksoi shefi i ekzekutivit të Kosovës.

Ai tha se Serbisë tani i kushton koha, pasi Serbisë i duhet për hapjen e kapitujve për hyrje në BE, “ndërsa tani tarifa po na kushton dy palëve”.

“Ne e duam Amerikën me zemër, të gjithë”, tha Haradinaj.

Kryeministri po ashtu ka lutur të gjithë krerët institucionalë dhe të partive politike, që të bëhen bashkë, për të mos lejuar Serbinë që të vendosë kushte për dialogun.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme