Haradinaj e Pacolli takojnë kryeministrin e Kroacisë, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Haradinaj e Pacolli takojnë kryeministrin e Kroacisë, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

16 February 2019 12:25

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, në kuadër të Konferencës së 55-të të Sigurisë e cila po i zhvillon punimet e saj në Munich të Gjermanisë, u takuan me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin biseduan për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon.

Gjatë takimit, Haradinaj ka vlerësuar se raportet miqësore ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë janë tradicionale, dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që këto raporte bilaterale të thellohen edhe në fusha tjera të interesit të përbashkët, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të procesit të integrimeve euroatlantike.

“Kroacia si anëtare e BE-së dhe NATO-s, është shembull i mirë që duhet ndjekur nga Kosova në procesin e integrimeve euroatlantike”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se mbështetja e Kroacisë për Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar është e rëndësishme për vendin.

Komunikata nga Kryeministria thotë se Haradinaj e ka njoftuar kryeministrin Plenkoviq, për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit dhe për zhvillimet e përgjithshme në vend, në të njëjtën kohë ka ftuar bizneset kroate që të investojnë në Kosovë, pasi është krijuar klimë e favorshme investuese.

Ndër temat e takimit, ishte edhe dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për të cilën kryeministri Haradinaj shprehu besimin se arritja e një marrëveshje ligjërisht obligative dhe njohja reciproke do të jetë faktor i rëndësishëm i stabilitetit jo vetëm për të dy vendet por edhe rajonin në përgjithësi.

Ndërsa, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, vlerësoi marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, duke thënë se Kroacia do të vazhdojë të jap kontributin e saj në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe procesin integrues euroatlantik të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme