Arbëri

Haradinaj: Gjermania, sikurse edhe senatorët amerikanë, janë kundër ndryshimit të kufijve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur nga Munihu pas takimeve të zhvilluara në kuadër të konferencës së sigurisë.

Për kryeministrin e Kosovës, takimi më i rëndësishëm ka qenë ai me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, duke mos anashkaluar edhe takimin me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen, dhe Ron Johnson, sikurse edhe me komisionarin për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn.

Ai tha se është diskutuar për çështjet rajonale, por edhe për dialogon Kosovë-Serbi.

“Nuk duhet të kushtëzohet dialogu. Mund të dialogohet edhe për taksën edhe për temat tjera, janë të ndërlidhura. Mirëpresim gatishmërinë e Hahnit për ofrimin e një zgjidhjeje. Berlini është jashtëzakonisht i saktë dhe i qartë, është kundër ndryshimit të kufijve. E konsideron këtë rrezik për tërë rajonin. Edhe senatorët ishin shumë të rezervuar për një ide të këtillë”, theksoi Haradinaj, raporton Koha.net.

Ai u shpreh se dialogu duhet të fillojë edhe për taksën edhe për temat tjera.

I pyetur nëse e ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Haradinaj tha se nuk ka pasur rast ta takojë gjatë ditës, “por nëse më jepet rasti, me siguri se do ta përshëndes”.