Arbëri

Shoqërohet në Polici mësimdhënësi nga Ferizaj që kërcënoi dy gazetarët e grupit KOHA

Mësimdhënësi (R.M) nga Ferizaj është shoqëruar nga Krimet e Rënda deri në Stacionin e Policisë së Kosovës në Prishtinë, të enjten, rreth orës 11:00, pasi që një ditë më parë dy gazetarët e grupit Koha, Agim Ademi dhe Dorentina Thaqi e kanë paraqitur në Polici një rast ndaj tij.

Dy gazetarët e grupit Koha, para pak ditësh kanë raportuar në gazetën Koha Ditore dhe në KTV derisa mësimdhënësi (R.M) nga Ferizaj ka rrahur e alivanosur kolegun e tij të punës, ndërkohë ky mësimdhënës vazhdimisht i ka kërkuar dy gazetarët në redaksi me emër dhe mbiemër.

Kërcënohen nga një mësimdhënës, gazetarët e Grupit Koha, Ademi e Thaqi

Burime të sigurta brenda shkollës në të cilën është i punësuar ky mësimdhënës kanë thënë se disa policë nga Krimet e Rënda e kanë marrë mësimdhënësin (R.M) për të dhënë një deklaratë pasi ai ka kërcënuar gazetarë e grupit Koha.

“Rreth orës 11:00 të së enjtes, Krimet e Rënda nga Prishtina e kanë shoqëruar në Polici mësimdhënësin tonë (R.M) pasi një ditë më parë është raportuar për një ngacmim apo kërcënim ndaj dy gazetarëve të Grupit Koha. Më pastaj ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga Policia se a është liruar mësimdhënësi apo është ndaluar për një kohë të caktuar nga organet e rendit”, ka thënë ky burim i cili është i njohur për redaksinë, duke shtuar se rreth kësaj ngjarje tashmë është njoftuar edhe drejtoria komunale e Arsimit në komunën e Ferizajt.

Ndërkohë, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës e ka shoqëruar për në polici një person nga Ferizaj, i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit kompetent është liruar në procedurë të rregullt”,thuhet shkurt në përgjigjen e Policisë së Kosovës.