Arbëri

Shumë kërkesa për mosdekretim të Ligjit për paga

Janë shtuar kërkesat drejtuar presidentit të Kosovës që të mos e dekretojë Ligjin për paga, raporton KTV.

E këtë, të enjten, përmes protestës e kanë kërkuar edhe punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Ata nuk dëshirojnë që të përfshihen fare në këtë ligj.

Por, kjo nuk ka qenë protesta e vetme para Qeverisë.

Pakënaqësinë për Ligjin e Pagave e kanë shprehur edhe punëtorët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, derisa mospajtime në lidhje me ligjin, kanë shprehur edhe punëtorët e KOSTT-it, ata të PTK-së dhe përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Ndërkohë, ata i ka pritur në takim kryeministri Ramush Haradinaj, dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Tahiri ka thënë se kanë arritur që t’i realizojnë kërkesat e tyre deri në 60%, porse i kanë edhe 9 muaj për të punuar në këtë drejtim në mënyrë që kërkesat e punëtorëve të realizohen krejtësisht.

Ligji për paga është miratuar në fillim të shkurtit, por po kundërshtohet nga shumica e kategorive të përfshira në të.