USAID dhe BE nënshkruajnë Letër Marrëveshje për të bashkëpunuar në sundimin e ligjit në Kosovë

USAID dhe BE nënshkruajnë Letër Marrëveshje për të bashkëpunuar në sundimin e ligjit në Kosovë

14 February 2019 15:51

Drejtoresha e Misionit të USAID-it, Lisa Magno dhe shefi i Sektorit të Bashkëpunimit të Bashkimit Evropian (BE), Luigi Brusa, nënshkruan sot një Letër Marrëveshje (LM).

Kjo Letër Marrëveshje shprehë përkushtimin e palëve për të bashkëpunuar lidhur me programet e ndihmës financiare për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Letër Marrëveshja përfshin ndarjen e punëve në fusha të caktuara të sundimit të ligjit. Veçanërisht për USAID-in, kjo përfshin punën me gjykatat, përmbaruesit privat, ndërmjetësuesit dhe punën në fushën e të drejtës komerciale; ndërsa për BE-në, kjo përfshin punën në infrastrukturë, zyrat e prokurorisë si dhe punën me noterët dhe administratorët e falimentimit”, thuhet në komunikatë.

Siç vuri në dukje Lisa Magno në fjalën e saj hyrëse, "është absolutisht thelbësore që USAID-i dhe BE-ja, si dy donatorët më të mëdhenj në Kosovë, jo vetëm të koordinojnë punën e tyre në këtë fushë kritike, por edhe të flasin me një zë të përbashkët dhe të udhëhiqen me të njëjtat parime në arritjen e rezultateve të rëndësishme. Përmes angazhimit strategjik dhe planifikimit të përbashkët, ne gjithashtu mund të shumëfishojmë ndikimin e burimeve tona të asistencës".

Kurse Brusa shtoi se, "Ne, USAID-i dhe BE-ja, si donatorët më të mëdhenj në sektorin e drejtësisë – jemi të përkushtuar që të rrisim përpjekjet tona për të harmonizuar ndihmën dhe për t’u koordinuar më mire në mes veti, jo vetëm gjatë zbatimit por edhe gjatë planifikimit të ndihmës së ardhshme”.

Letër Marrëveshja thërret për krijimin e një këshilli drejtues i cili do të shqyrtojë rezultatet e përbashkëta të aktiviteteve BE-USAID me Qeverinë e Kosovës dhe aktorët e tjerë të fushës së drejtësisë; ajo gjithashtu bën thirrje për përfshirjen e sesioneve të përbashkëta të planifikimit të punës brenda tenderëve të BE-USAID-it në sundimin e ligjit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme