Komisioni për të Vërtetën – si të ecet më tutje! (3)

Komisioni për të Vërtetën – si të ecet më tutje! (3)

21 February 2019 12:00

Analizë e dalë nga fokus grupi me viktimat civile të luftës në Kosovë të rajonit të Vushtrrisë, për idenë e themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë.

U bënë dy vite prej kur presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi inicoi idenë për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë. Pas disa konsultimeve me akterët kyq të politikës, shoqatave të viktimave dhe personave të zhdukur, shoqërisë civile dhe komunitetit të gjerë - Presidenti i Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 6 të Ligjit Nr. 03/L-094, si dhe në pajtim me nenin 3 (4), të Rregullores (P) Nr. 02/2016 për Strukturën Organizative të Presidencës (08.09.2016), dhe Vendimin Nr. 51/2017 nxjerr vendimin për emërimin e Ekipit përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (Nr. Protokolli 892-01.11.2017). Ky ekip u mandatua të përgatisë dokumentacionin përkatës për themelimin e këtij Komisioni. Duke qenë se ekipi do të duhet shumë shpejtë të del në terren për të nisur debat të hapur me publikun rreth kësaj iniciative, Integra dhe Qendra për Paqe dhe Tolerancë inicuan një gamë diskutimesh me disa grupe të interesit rreth asaj se sa do t’i kontribuoj paqes dhe stabilitetit të mëtejmë në Kosovë themelimi i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Në bazë të përvojës sonë në punën me viktimat civile të luftës, me të mbijetuarit apo familjarët e viktimave dhe të zhdukurve të Kosovës, del në pah një fakt që kjo kategori flet gjithmonë me forcën e dhimbjes dhe të empatisë për tjetrin - të vuajturin, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të tjetrit. Kjo kategori përveç që është më racionale në dhënien e mendimeve rreth të kaluarës, në të shumtën e rasteve pjesëtarët e kësaj kategorie flasin me forcën e vuajtjes dhe dhembshurisë dhe janë shumë më avangardë rreth të ardhmes së brezave të rinj dhe pajtimit. Ndoshta fakti që ata e dijnë dhe e kanë përjetuar në lëkurën e tyre vuajtjen dhe dhunën, shih për këtë nuk duan që e njëjta t’u ndodhë edhe brezave të rinj.

Kur flitet për pajtim gati njëzet vite pas luftës, disa nga pjesëtarët e familjarëve të viktimave mendojnë se nuk janë përmbushur kushtet për pajtim, por kanë  shpresë se më mirë do të bëhet në të ardhmen.

             “Unë mendoj që jo. Ndoshta më vonë gjeneratat që vijnë mund të pajtohen”.

Si edhe në të gjitha diskutimet e mëparshme, pjesëmarrësit ishin pothuajse të një mendimi se kërkim falja ishte e paevitueshme.

“Unë mendoj së pari që përderisa ata nuk kanë kërkuar falje për të gjitha viktimat dhe pë r ne që jemi të dëmtuar, unë nuk e di se çfarë marrëveshje dëshiron të bëj ai (interv.Presidenti,) kur njerëzit nuk e dijnë ende se ku i kanë kufomat, ka shumë të zhdukur”.

Po ashtu edhe inicitativa e Presidentit për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin shihej si e ngutshme, dhe jo e drejtë të inicohej nga kosovarët.

“Mendoj se është pak e ngutshme nga ai sepse ne jemi viktimat dhe tani po i bie që ne po insistojmë sikur ne t’ua kishim bërë atyre e jo ata neve. Marrëveshje duhet të ketë por jo pa kërkim-falje nga ata e tyre”.

Disa nga të pranishmit kishin edhe argumente në favor të pajtimit duke besuar se deri tek pajtimi duhet të vihet me çdo kusht për hirë të një të ardhme më të mirë.

“Duhet të kalojmë në ato procese deshte - s’deshte, është e vërtetë se duhet të kërkojnë falje (Serbët) por nëse vazhdojmë të insistojmë ndoshta Serbia edhe 50 vite nuk kërkon falje, ne duhet të ecim përpara sepse kemi përjetuar shumë”.

Dhe jo pa arsye argumentet më racionale vijnë nga vetë komuniteti i të mbijetuarëve të luftës apo nga vetë viktimat dhe familjarët e tyre si dhe të personave të zhdukur.

“Duhet të ecim për shkak të së ardhmes, nuk duhet t’i lëjmë fëmijët peng të asaj që ka ndodhur. Ka ndodhur çka ka ndodhur. Viktimat nuk mund t’i kthejmë. Çdo shtet e ka përjetuar atë… e kanë përjetuar edhe para nesh dhe do ta përjetojnë edhe shumë shtete tjera më  pas”. Dhe argumenti tjetër vazhdon; “Duam apo s’duam ne në një periudhë të ardhshme duhet të pajtohemi, por pajtimi do të ndodhë me gjeneratat të tjera dhe jo me këtë, të jemi të qartë. Dihet komuniteti pakicë që ndikohet nga politika”.

Interesante ishte përgjigja e një të pranishmi i cili mungesën e dialogut shqiptaro-serb e ilustroi me faktin që të dyja palët kanë mëri dhe se nuk lëshojnë pe lehtë“për shkak të inatit”.

Një argument tjetër që marrëdhëniet Kosovë-Serbi do të përmirësohen me kohë  vinte nga një student i cili mori shembull historinë e hidhur me perandorinë otomane dhe përmirësimin e marrëdhenieve me Turqinë e sotme.

“Ne kemi histori 500 vjeçare edhe me turqit (interv.Otomanë t) që kanë qenë më të këqinj se serbët. Ne kemi histori të gjatë nën okupim dhe pse mos të ecim përpara tani që e kemi mundësinë ta forcojmë shtetin tonë”.

“Unë nuk kam qenë në luftë dhe nuk mund të them sepse nuk e kam përjetuar, dhe kur nuk e përjeton nuk është e njëjtë andaj vetëm po dëgjoj. Siç po thonë edhe këta, nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë sepse ti e vret atë, pastaj ata ty dhe vetëm përcillet në  rreth vicioz, andaj duhet të ketë falje në mes”.

Një çështje që e nxiti diskutimin ishte çështja e të vërtetës dhe narrativave të luftës që na janë ofruar deri më tani që nga përfundimi i saj më 1999. Cilës së vërtete t‘i besojmë sa i përket luftës përveç përvojës vetanake?

“I besoj familjarëve, sepse familja ime në këtë pjesën që quhet Mikullofc, kemi qenë e gjithë familja vetëm...meshkujt të zhveshur dhe vetëm është pritur momenti i pushkatimit. I kemi përjetuar ato tmerre shumë dhe kur dikush e përmend, mua më kujtohet ai moment”.

Përkundër faktit që njëri nga të pranishmit kishte qenë fëmijë kur ka ndodhur masakra e Studimes, ai e përshkroi ngjarjen shumë qartë në bazë të asaj se çka ka mbajtë në mend si kujtesë dhe asaj se çka i është transmetuar nga familjarët.

“Unë kam qenë 14 vjeç në vitin 1999. Po flas për atë përjetimin e shkurtër, me 2 maj në vitin  1999 që njihet si masakra e Studimes, kanë ardhur në katër anët diku 7000 njerëz, kanë qenë refugjatët në atë fshat të cilët i kanë nxjerrë në rrugë dhe kanë filluar t‘i vrasin. Rrugës ka pasur shumë të vrarë deri në Sudimen e ulët, kush e di vendin edhe aty ka pasur të vrarë në dy anët e rrugës... kemi parë duke vrarë ‘live‘ nuk ka pasur diçka më të tmerrshme. Nuk ka gjë më të vështirë sesa të shohësh njerëz duke dhënë shpirt... kanë marrë drunjë dhe na kanë rënë kokës, kemi  parë rrugës disa me sy të mbyllur, disa me fasha të lidhura.....burrat i kanë pasë marrë nga 18 deri 55 vjeç, për t‘i pushkatuar por nuk i kanë pushkatuar i kanë ngarkuar në disa kamionë të kafshëve, dhe i kanë transferuar në burg në Smrekovnice”.

“Kjo më bën t’i besoj përvojës sime si fëmijë dhe familjes sime, sepse familjen e nënës time, familjen Gërgjaliu i kanë pushkatuar të gjithë familjarisht, dhe normal që atyre fakteve iu besoj. Ky është fakt. Asnji burmi tjetër nuk i besoj në atë se çka ka ndodhë në të kaluarën në Kosovë”.

Asnjëri nga 12 të pranishmit nuk i besonte ndonjë burimi tjetër të informatës përveç përvojës dhe narrativit familjar. Çdo burimi tjetër të informatës si prsh. mediave, Akademisë, historianëve apo organizatave ndërkombëtare nuk i besonin, apo i besonin shumë pak. Në asnjë mënyrë nuk i besohej politikanëve.

“Unë nuk mendoj që ka mungesë të informatave, por edhe ngjarjet që kanë ndodhur nuk janë dokumentuar mirë sepse nuk janë treguar mirë, unë i di disa që janë shpallur heronjë, por esenca është se te ne politizohen gjërat, materializohen. Një njeri që e ka përjetuar ngjarjen e tregon atë mirë besoj. Domethënë politikës i besojmë zero”.

 

Iniciativa e Presidentit për themelimin e KVP shihej me shumë dyshim, sidomos tek familjarët që kishin ende të zhdukur në familje.

“Dihet se President i vendit është faktor unifikues i politikës dhe mund të jetë detyrë e tij inicimi i këtij procesi. Por, për ne si familjarë është e dhimbshme definitivisht është e dhimbshme, i dhimbshëm në aspektin kur e kujtojmë nga e kaluara deri 20 vite pas, sepse është padyshim e dhimbshme për zonjën p.sh nga Suhareka e cila e ka të gjithë familjen të vrarë. Ne po e dijmë se duhet të ndodhë pajtimi, por si mund t’i fle shpirti atij që 20 vjet nuk e di se ku e ka të afërmin e vet të  zhdukur”.

“Për ne që i kemi edhe e dijmë se ku e ka varrin antari i familjes, shkon edhe e qan dhe është ndoshta më e lehtë emocionalisht. Përderisa i kemi 1600 persona të zhdukur, të inicohet një komision për pajtim duke u nisur nga rasti i zonjës dhe i qindra e mijra familjeve tjera, s’po them është e pa pajtueshme por e dhimbshme”.

Në pyetjen se çka është KVP-ja, të pranishmit nuk e dinin saktë qëllimin apo arsyen e themelimit të tij, megjithatë aludonin se ishte për pajtimin mes shqiptarëve e serbëve. “Po mendoj që ky komision shërben për mundësinë e pajtimit”.

Katër të  pranishëm nuk e dinin se çka është KVP-ja. Mungesa e informatave rreth të kaluarës dhe të tashmes cilësohej si evidente.

“Ne jemi të pa informuar, unë për vete nuk e kam ditur kush është Adem Jashari deri sa është vrarë, nuk e kam ditur deri ka përfunduar lufta se çfarë roli ka pasur, as Hashim Thaçi, domethënë ne jemi protagonistë  të luftës por nuk dijmë për luftë. Të vërtetën nuk e dijmë sepse akademitë tona janë politike pse unë ta jap ty një favorizim p.sh. ti pa problem gënjen për mua. Çka kam parë unë në popullin tonë, historikisht është se këta kanë jetuar me gënjeshtra gjithmonë. Unë mund të të garantoj që populli shqiptarë nuk e ka as historinë njëmend e as ardhmërinë nuk do ta ketë derisa ta shohë realitetin. Ne mundemi ta bëjmë shqiponjën tërë ditën por jetojmë me më pak se një euro në ditë, mundemi të themi se jemi krenar që jemi shqiptar, por jemi ata që në vitin 2015 vërshuam nëpër Hungari, kemi kërkuar azil në Gjermani…me këtë strukturë të njerëzve në  pushtet, sinqerisht besim nuk kam. Politike e di që është të pajtohet shteti me shtet, nuk janë të gjithë serbët e këqinj sikurse nuk janë as të gjithë shqiptarët e mire”.

Në lidhje me lidershipin që do të mund të zgjatë dorën e pajtimit kishte sygjerime interesante nga më të ndryshmet. Nga ata që nuk i besonin asnjë lideri, deri te disa që besonin në lider të rinj.

“Nuk besojmë në lidership dhe askush nuk mund të na pajtojë”.

“Por politikanë që mund të bëjnë këtë nuk besoj që ka, Rugova ka vdekur, ai që ka mundur të bëj e të sjellë pajtimin...se sa për Hashimin e Ramushin jo. Ka politikanë të rinjë që munden të na pajtojnë. Nexhat Daci, me sa kam lexuar për të, sa e kam përcjellë ndoshta ai do të mundte. Unë mendoj që ka politikanë të rinjë, p.sh Ilir Deda e Vjosa Osmani. Unë e kam paramenduar një Kosovë më të mirë“.

Në lidhje me pyetjen se a mund të ketë mundësi që KVP do të punojë drejtë? Tre nga të pranishmit ishin kategorikisht kundër këtij pohimi, dhe ata besonin se do të jetë një organ politik siç kanë qenë edhe shumë komisione tjera që janë formuar deri më tani.

Ata insistojnë që do t’i besonin vetëm një komisioni të pavarur të përbërë nga ekspertë të fushave dhe njerëzve apolitik.

“Vetë arsyeja që po e inicon Presidenti pa dashur ta gjykoj… duke e pasur parasysh qeverisjen e tij, nuk po na bënë shumë t’i besojmë si politikan, kush do të mund t’i shtyj proceset përpara… po dalim te akademia e ata janë në gjumin më të thellë”.

Iniciativa e Presidentit për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin merrej me shumë rezerva.


 

Fuqizuar nga Integra, CPT, PAX dhe RBF.

Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.



 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme