Arbëri

Komisioni për të Vërtetën – si të ecet më tutje! (2)

Analizë e dalë nga fokus grupi me komunitetin e Historianëve, për idenë e themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë.

U bënë dy vite prej kur presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi inicoi idenë për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë. Pas disa konsultimeve me akterët kyq të politikës, shoqatave të viktimave dhe personave të zhdukur, shoqërisë civile dhe komunitetit të gjerë - Presidenti i Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 6 të Ligjit Nr. 03/L-094, si dhe në pajtim me nenin 3 (4), të Rregullores (P) Nr. 02/2016 për Strukturën Organizative të Presidencës (08.09.2016), dhe Vendimin Nr. 51/2017 nxjerr vendimin për emërimin e Ekipit përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (Nr. Protokolli 892-01.11.2017). Ky ekip u mandatua të përgatisë dokumentacionin përkatës për themelimin e këtij Komisioni. Duke qenë se ekipi do të duhet shumë shpejtë të del në terren për të nisur debat të hapur me publikun rreth kësaj iniciative, Integra dhe Qendra për Paqe dhe Tolerancë inicuan një gamë diskutimesh me disa grupe të interesit rreth asaj se sa do t’i kontribuoj paqes dhe stabilitetit të mëtejmë në Kosovë themelimi i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Në diskutimin me historianët e Kosovës, çështja e pajtimit, dokumentimit dhe e të vërtetës më shumë shihej nga këndvështrimi politik. Jo natyrshëm, por dialogu Kosovë-Serbi shihej si pjesë e pandashme e procesit të pajtimit mes dy popujve dhe në të njëjtën kohë kritikoheshin të dy palët se çdo iniciativë e deritanishme si në nivel kombëtar, po ashtu dhe në atë regjional edhtë ngulfatur kryesisht nga politikanët. Ndryshimet kryesisht kërkoheshin të bëheshin brenda shoqërisë kosovare, kërkohej të ndryshohet elita politike, dhe të krijohet një klasë politike e re që punon për popullin dhe jo për pushtetmbajtjen.

Nuk fajësoheshin vetëm institucionet dhe elita politike, por edhe mbarë shoqëria me të gjitha segmentet relevante duke përfshirë edhe akademinë, për mospunën e saj dhe rezultate shterpe ne çdo aspekt. Kur përmendej Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, aludohej në një të atillë që do të jetë kryekëput apolitik dhe i pavarur në çdo aspekt. Vetëm puna e një komisioni të pavarur do të mund të ndryshonte shifrat edhe ashtu të stërzmadhuara dhe politikisht të dëmshme të të vrarëve civilë në Kosovë, të dhunuarve, të veteranëve e kështu me radhë, pohonin të pranishmit.

                    “domethënë këto shifra që dalin prej politikës absolut s’janë të besueshme.”

 

Interesant ishte fakti që e vërteta rreth së kaluarës u pa dhe u cilësua nga dy të pranishëm si “e vërtetë bashkëkohore” me të cilën po tentohet të arrihet barazim i krimeve të së kaluarës dhe relativizimi i asaj çka ka bërë Serbia në Kosovë. Gjithmonë sipas të njëjtit burim: “ka edhe në mesin e qytetarëve të Kosovës apo edhe në mesin e studiuesve që po tentojnë të arrijnë tek një barazim i krimeve shqiptare-serbe. Natyrisht që ka pas krime prej dyja palëve, por besoj që është një tendencë për barazim”.

“Një e vërtetë e cila është ndoshta pak më absolute se gjikçka tjetër është prova, ose e vërteta forenzike meqenëse kemi të bëjmë me krime të luftës. Janë pikërisht organizatat e huaja apo KFOR-i që kanë dalë me shifra për të vrarët civil në Kosovë, sepse shteti i Kosovës nuk e ka bërë asnjë evidenitim asnjëherë të asnji të zhdukuri dhe të vrari, as të grave të dhunuara” pohon një respondent tjetër. Ata janë të vetëdijsëm se shifrat e dhëna të vrarëve civilëve dhe viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës jane jo mirë të konsoliduara.

“Flitet për 20,000 gra të dhunume, veç çka i bëjnë dëm vetit me ato shifra, ato janë politike. Manipulohet sikur me lista të veteranëve”.

Mungesa e dokumentimit dhe evidentimit të fakteve ka lënë pasoja në kujtesën kolektive thekson njëri nga respondentët, ndëerkohë që nga të tjerët vlerësohet se deri më tani nuk ka pasë dokumentim të mirëfilltë përmes hisorisë gojore.

“Një rol shumë të madh do të luante këtu historia gojore”.

E vërteta me fakte do të ndihmonte në zbardhjen e një narrative që ndoshta nuk ka qenë e njohur për ne deri më tani. Shih për këtë, një pjesë e konsiderueshme e respondentëve mendojnë se lufta nuk sjell gjëra të mira, por cilado palë që ka shkelur rregullat e luftës duhet të ndëshkohet, ndëerkohë që procesi i pajtimit shihet si i paevitueshëm.

“Mirëpo faktet duhet të zbulohen dhe çdonjëri të ndëshkohet dhe më pas të vijmë të një marrëveshje apo një pajtim”.

Vetëm katër nga 12 të pranishmit kanë dëgjuar më parë për iniciativën e Presidentit për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Të pranishmit nuk kishin informata të sakta se çfarë qëllimi do te ketë ky Komision, por aludonin se do të jetë në formën e ndonjë marrëveshjeje  politike. Por ajo çka befasonte ishte fakti që pothuaj që të gjithë kërkonin që përbërja e Komisionit të jetë apolitike dhe me njerëz me integritet të lartë. Ata kërkonin që Komisioni para se të themelohej, do duhej të diksutohej publikisht me qytetarët. Një student i historisë nuk hezitoi të shfaqte dozën e skepticizmit rreth kësaj iniciative për faktin se ka ardhë nga Presidenti.

“Asocimi i parë personalisht për mua ka qenë që ky komision ka me qenë fund e krye politik. Ashtu siç është mësuar të veprojë presidenit ynë vazhdimisht gjatë bisedimeve të Brukselit pa e pyet Kuvendin, pa e pyet askënd, njëjtë ka mendu që do të jetë njëfarë komisioni i përbërë prej shumicës dërmuese prej antarëve të PDK-së, dhe nga një përfaqësues prej partive tjera që të formohet njëfarë uniteti kombëtarë sikur tek procesi i bisedimeve të Vjenës. Por nuk ka me jep ndonji rezultat. Ky komision ka me verpu vetëm me direktiva nga presidenti’.

Të tjerët shprehnin skepticizmin rreth çështjes se mos një iniciativë e tillë është e vonuar, duke pasur parasysh humbjen e kujtesës kolektive, mungesën e fakteve dhe vdekjen e dëshmitarëve dhe të mbijetuarve të luftës së fundit në Kosovë.

“Për mendimin tim ne jemi shumë vonë, 20 vite pas luftës e asnjiherë nuk është diskutu për gjërat që kanë ndodhur në luftë. Pavarësisht a kemi pasë ne faj apo ata, a jemi ne viktima apo ata viktima, domethënë 20 vite qeverisje këta nuk janë në gjendje me e marr e me i diskutu krejt gjërat që kanë ndodhur qoftë mirë apo keq”.

Për dikë tjetër themelimi i këtij Komisioni do të ketë vlerë të veçantë ngase nga puna dhe rekomandimet që dalin nga ky Komision, te dalurat do të nxjerrin në dritë atë se kush ka qenë agresori dhe kush viktima. Megjithatë, me vend ishte pyetja e një studenti i cili shtroi çështjen e mandatit të Komisionit dhe pozicionimit të Kosovës vis-a-vis së kaluarës;

“Ky komision i paqes është vetëm nga ana jonë e përcaktuar, sepse shteti serb nuk e ka bërë. Tah p.sh ne po i bie që jemi agresorët, dhe duhet të formojmë komisionin që të arrijmë të bëhemi më të mirë, me i kërku falje ne Serbisë, kur unë mendoj që duhet të ishte e kundërta, sepse dihet se kush është agresori. Mua më është dukur vetëm komedi kjo lloj ideje, ose më thënë më shumë më ka çuditur”.

Kjo ndërlidhej edhe me çështjen e lidershipit dhe kush mund të jenë politikanët potencial që mund të marrin përkrahjen e dy popujve për t’u pajtuar.

Çuditërisht tre historianë të pranishëm e përmenden emrin e liderit të opozitës serbe Cedomir Jovanonicit. Sipas tyre,

             “ai po i pranon krimet serbe në Kosovë dhe tani thotë që duhet shikuar përpara... mendoj edhe unë që Cedomir Jovanovic mundet me qenë ai lideri që sjellë paqe”.

Respondentent përmenden faktin që kudo nëpër regjion elitat politike përbëhen nga ish-luftëtarë dhe politikanë të djathtë të cilëve u mungon vizioni evropian i ndërtimit të shtetit.

“Kemi si shembull kryeministrin, tipat e tillë i shohim si lider të vërtetë. Lideri i të fortëve te ne më shumë pëlqehet sesa një lider evropian tipik ose perëndimor , që është i butë që sheh që ai ka një qëllim që të bëjë ndryshime e jo të krijoj vetëm vazhdimësi të paraardhësit’.

Gjatë bisedës disa herë u potencua fakti që nëse formohet Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, ai duhet të caktojë brenda njerëz me kredibilitet të lartë të cilët do të zbulojnë të vërteta të reja rreth luftës krahasuar me ato që i dijmë deri më tani.

“Ky komision duhet të zbardhë edhe mënyrën edhe rastet e vrasjeve, e këtu pak nuk iu konvenon  disave... ne nuk mundemi me iu frikësu të vërtetës edhe nëse p.sh nëse vetë UÇK-ja në disa raste ka kryer krime, ne aktualisht besojmë që kanë kryer krime individë të caktuar në mënyrë të izoluar përderisa nuk e kemi të faktuar ndonji urdhër-dhënie sepse edhe Gjykata e Hagës me vendimet e saj ka lënë të lirë pjesëtarë të strukturës komanduese të UÇK-së që janë dyshuar për krime lufte”.

Mungesa e respektit për lidershipin politik aktual dhe besimi i mangët që kjo elitë politike do të jetë në gjendje të sjellë dy palët t’ja shtrijnë dorën njëra tjetrës ishte evidente gjatë gjithë bisedës. Në mesin e diskutuesve nuk kishte simpati për politikëbërësit si anëtarë të mundshëm të këtij komisioni, sygjeroheshin ekspertët e pavarur të fushave të jenë antarë potencial të Komisionit për Të Vërtetën dhe Pajtimin.

“Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përbëhet nga ekspertë pa marrë parasysh nacionalitetet, edhe t’i zgjidhim, t’i gjejmë edhe vrasësit edhe viktimat në bazë të hulumtimeve, metodologjia e punës duhet të jetë shumë e rëndësishme për sa i përket kësaj çështje”.

Të gjithë respondentët historianë në takim njëzëri ishin pro pajtimit me serbët. Ata insistonin se ashtu siç është ngulitur urrejtja brez pas brezi, tani duhet të punohet në atë mënyrë që brezat e ardhshëm t’i mësojnë pasojat e luftës në mënyrë që të parandalohet një luftë e re në të ardhmen.

“Ashtu siç e kemi krijuar mendësinë e urrejtjes, mendja duhet të ndrrohet, ashtu siç e kemi ushqyer mendjen me urrejte njëjtë duhet me e ushqyer për të ardhur deri tek paqja. Kërkim-falja, mbyllja e këtij procesi po them. Jo kërkim-falje përmes një konference”.

Bashkësia ndërkombëtare vazhdon të ketë rol vendimtar në çështjet e ballafaqimit me të kaluarën sipas të pranishmeve.

“Përderisa janë bashkësia ndërkombëtare të përfshirë në këtë dialog Kosovë-Serbi, normal që ka me pas ndikim edhe krejt ajo e dikton rrjedhën. Nuk ka me qenë diçka që ka me buru prej Kosovës edhe prej Serbisë ky pajtim, ky pajtimi nëse nuk do të ishte për shkak të bashkësisë ndërkombëtare është e kotë ne që flasim këtu se kemi për të bërë diçka”. Pa ndërmjetësimin e BE-së apo shteteve tjera aleate, nuk besohet se serbët e shqiptarët do të pajtohen mes vete dhe roli i ndërkombëtarëve këtu shihet si kyq.

 

Fuqizuar nga Integra, CPT, PAX dhe RBF.

Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.