SHBA-ja i quan të pabesueshme injorimet që po ia bën Kosova për taksën

SHBA-ja i quan të pabesueshme injorimet që po ia bën Kosova për taksën

12 shkurt 2019 20:04

Përfaqësuesit e lartë të Kosovës kanë pranuar një letër nga zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët kanë shprehur zhgënjimin e tyre lidhur me mospezullimin e taksës doganore, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. SHBA-ja këtë injorim e ka quajtur të pabesueshëm.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, zëvendësndihmës sekretarja e Mbrojtjes, Laura Cooper dhe drejtor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Earth, kanë nënshkruar një letër në të cilën thuhet se pas kërkesave të vazhdueshme të SHBA-së për pezullimin e taksës, kanë vendosur që të ndërmarrin hapa “për të shprehur shqetësimin tonë, përfshirë edhe partneritetin tonë në fushën e sigurisë”.

“Si fillim, kemi vendosur të anulojmë vizitën e planifikuar të Gjeneralit (Timothy) Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s, në Kosovë. Vizita e tij kishte për qëllim të përqëndrohej në bashkëpunim bilateral në fushën e sigurisë”, thuhet mes të tjerash në këtë letër.

“Ne do të shikojmë me kujdes aspektet tjera të bashkëpunimit dhe do t’i rishikojmë ato nëse reduktohen”, thuhet në këtë letër.

Zyrtarët në letrën që i kanë dërguar presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit, Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, thonë se “është e pabesueshme” që Kosova po injoron këshillën e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e taksës doganore.

“Kosova nuk ka mik më të mirë se Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar së bashku për vite të tëra për të ndërtuar të ardhmen, për popullin e Kosovës që të jetojë ashtu si ka zgjedhur, në paqe. Është e pabesueshme që pas gjithë asaj që kemi bërë së bashku, Kosova vlerëson miqësinë tonë kaq ulët, aq sa të injorojë këshillën tonë. Shtetet e Bashkuara vazhdojë të jenë të gatshme të ndihmojë dhe të përkrahin Kosovën që të arrijë një marrëveshje për normalizimin e raporteve me Serbinë, që do të përqendrohej në njohje reciproke, që do të ishte afatgjatë, e zbatueshme dhe do të përfitonin të dyja palët. Për 20 vjet ky ka qenë një qëllim i pamundur. Edhe pse ende ka vështirësi, kjo rrugë duhet të ndërmerret për të pasur siguri dhe prosperitet”, thuhet në këtë letër.

Sipas Palmerit, Cooperit dhe Earthit, vazhdimi i dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të vazhdojë pa pezullimin e taksës. Ata kanë thënë se pa një vendim të tillë, raportet SHBA-Kosovë, nuk mund të kthehen ashtu siç ishin.

“Qëllimi ynë është që të shohim se Serbia, por edhe Kosova, veprojnë përgjegjshëm që dialogu t’i kthehet normalitetit. Hapi i parë drejt kësaj është pezullimi i tarifave. Derisa nuk e keni bërë një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet ashtu siç i kemi pasur”, thuhet në fund të letrës.

Image

Komentet

Shto koment

Të ngjashme