Arbëri

1600 oficerë korrektues në gjithë Kosovën protestuan për paga

Të pabarabartë me policët e Kosovës po ndihen gardianët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Për këtë, mbi 1600 oficerë korrektues në gjithë Kosovën kanë mbajtur protestë një orësh të hënën, raporton KTV.

Ata janë të pakënaqur me Ligjin për Paga dhe kërkojnë që koeficienti i tyre të jetë i barabartë me të policëve.

Atyre u janë bashkuar edhe stafi civil si dhe ai mbështetës nga Burgu i Dubravës.

Nga vendet e tyre të punës, ata kanë marshuar deri te porta kryesore.

Sipas protestuesve, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri u kishte premtuar se do të kenë paga të njëjta me Policinë e Kosovës.

Ata thonë se krahasuar me punën që bëjnë dhe natyrën e saj në burg, pagat i kanë të ulëta.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues ka thënë se është zhgënjyes fakti që oficerët korrektues janë lënë në koeficientin 1.8 e jo 2.2 siç u ishte premtuar.

Sindikata e Shërbimit Korrektues i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi që të mos e dekretojë Ligjin për Paga, i cili u miratua ditë më parë në Kuvend.

Javën e kaluar, Presidenti tha sinjale se mund të mos e dekretojë Ligjin, shkaku i ankesave të shumta që mori, por ka thënë se Zyra Ligjore do të vendosë për këtë.

Me kërkesën e njëjtë, gardianët do të protestojnë edhe të enjten para Qeverisë në Prishtinë.