Arbëri

Kosova e përkushtuar në rrugën drejt NATO-s

Descriptive Text

Zëvendësministri i Mbrojtjes së Kosovës, Burim Ramadani, deklaroi sot se vendi ynë është i përkushtuar në rrugën drejt NATO-s, dhe se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit në Aleancën Veri-atlantike është alternativa më e sigurt për zhvillimin e rajonit të sigurt dhe prosperues.

Ai këto komente i bëri sot në Tiranë ku është takuar me homologun e tij shqiptar Petro Koçi. Në takimin e përbashkët ishte edhe zëvendësministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Bekim Maksuti.

Takimi në Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes kishte karakter diskutimi të përbashkët mbi përvojat në rajon në rrugën e integrimeve në NATO dhe për bashkëpunimin e mëtutjeshëm midis shteteve në çështjet e politikave të sigurisë dhe mbrojtjes.

Zëvendësministri Ramadani vlerësoi lart takimin konsultues të këtij formati, duke theksuar dëshirën për zgjerimin e përfaqësimit edhe të shteteve tjera në rajon.

“Rajoni ynë dhe shtetet tona kanë nevojë të vazhdueshme për shkëmbimin e përvojave në proceset integruese, si dhe thellimin e bashkëpunimit për të promovuar vlerat perëndimore të rajonit”, tha ai.