Arbëri

Ushtria e Kosovës e pengon Rusinë, reagon kundër Londrës

Foto: Alban Bujari / Koha

Rusia, duket me shumë vonesë ka reaguar ndaj përkrahjes që Britania e Madhe ia dha Kosovës për Ushtrinë gjatë debatit të së enjtes në Këshillin e Sigurimit, transmeton Koha.net.

Përmes Ambasadës së vet në Londër, Moska ka kundërshtuar deklaratën Ambasadores britanike në Kombet e Bashkuar Karen Pierce e cila në OKB këmbënguli se Kosova ka të drejtë ta ketë Ushtrinë e vet.

Me kumtesë, Moska nga Londra ka thënë se Britania e Madhe dhe vendet e tjera perëndimore “po e injorojnë rrezikun për popullatën serbe nga Ushtria e Kosovës”.

Sipas kumtesës së Ambasadës ruse, “Ushtria e Kosovës është kërcënim i drejtpërdrejt për serbët që jetojnë në veri dhe kjo shton në mënyrë drastike potencialin për burim të ri tensionesh në Ballkan”, përcjellin medie serbe lajmin e agjencisë ruse TASS.

"Befason fakti se përfaqësuesit perëndimorë me këmbëngulje injorojnë këtë fakt të dukshëm”, thuhet në këtë kumtesë.

Ambasada ruse vlerëson se përpjekja e BE-së në ndërmjetësim te të dy palët, Kosovë-Serbi, ka pësuar disfatë.