Shërbimi Korrektues, të hënën në grevë njëorëshe Foto: Koha / ilustrim

Shërbimi Korrektues, të hënën në grevë njëorëshe

Ardiana Thaçi Mehmeti Ardiana Thaçi Mehmeti 08 February 2019 20:59

Sindikata e Shërbimit Korrektues ka paralajmëruar që të hënën nga ora 8:00 deri në orën 9:00 të mëngjesit, i gjithë stafi do të mbajnë grevë 1 orëshe në shenjë proteste për mos-rritjen e koeficientit dhe mos-barazimin e tyre me Policinë e Kosovës siç u kishte premtuar ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Zenun Sadikaj, kryetar i Sindikatës, i ka thënë KTV-së se po ndihen të tradhtuar nga ministri i cili, sipas tij, “jo vetëm që nuk na ka rritur koeficientin, por as nuk na ka mbrojtur në Kuvend në ditën kur është votuar Ligji për pagat”.

Sadikaj ka kërcënuar se në rast se nuk u realizohen kërkesat, do t’i përshkallëzojnë veprimet sindikale, raporton Koha.net.

Greva do të mbahet në të gjitha qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese.

Sindikata e Shërbimit Korrektues të Kosovës edhe më herët ka reaguar lidhur me Ligjin për pagat, duke thënë se nëse nuk janë të përfshirë ashtu siç iu është premtuar, atëherë janë të detyruar të veprojnë sipas ligjit sindikal dhe në forma tjera.

E ministri i Drejtësisë, Tahiri, pas miratimit të Ligjit në Kuvend, pati thënë se “me Ligjin e pagave, Shërbimi Korrektues përfitoi rritjen më të madhe të pagave që prej themelimit”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme