Arbëri

KOMF-i kërkon masa të menjëhershme ndaj arsimtarit dhe policit që dhunuan vajzën në Drenas

Foto: Koha

Përfaqësues të Koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve (KOMF), në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kanë dënuar ashpër abuzimin seksual të vajzës nga Drenasi nga arsimtari dhe polici, dhe kanë kërkuar masa të menjëhershme ndaj të dyshuarve.

Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, ka kërkuar nga Komuna e Drenasit që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbrojtjen, rehabilitimin dhe riintegrimin e vajzës.

“Shërbime të ofrohen edhe ndaj familjes për të siguruar se familja është në një mjedis mbështetës, pranues dhe jo diskriminues. KOMF u bën thirrje organeve të drejtësisë, policisë dhe gjykatës, që të marrin të gjitha masat për të sjellë para përgjegjësisë dhe për të ndëshkuar të dyshuarit për veprat penale”, ka thënë Kelmendi, raporton “Koha Ditore”.

Po ashtu, Kelmendi ka kërkuar nga mediat dhe të gjithë qytetarët që të mbrojnë personalitetin e viktimës dhe të shmangin stigmatizimin duke mos publikuar dhe shpërndarë imazhe apo edhe të dhëna të viktimës dhe familjes së saj.