Arbëri

Hamza kërkon kujdes maksimal ndaj Ligjit për Financat Publike për menaxhim efikas të parasë publike

Descriptive Text

Vazhdim të reformave në administratën publike me theks të veçantë në menaxhimin e financave publike ka premtuar ministri i Financave, Bedri Hamza në Konferencën për “Fuqizimin e kontrollit të brendshëm të Financave Publike dhe llogaridhënies menaxheriale në subjektet e sektorit publik”.

Hamza ka kërkuar që t’i kushtohet rëndësi dhe kujdes maksimal Ligjit për Financat Publike që të ketë një qeverisje transparente dhe efikase të menaxhimit të parasë publike.

“Me këtë ligj rregullohet financimi publik të ndërtuar mbi parime të qeverisjes së mirë. Duke qenë pjesë e reformës përgjithshëm objektiva e ligjit është t’i bëjë menaxherët e sektori publik llogaridhënës. Ligji është harmonizuar me modelin dhe kornizën e kontrollit ë brendshëm”, ka theksuar Hamza, raporton “Koha Ditore”.

Sipas tij, Qeveria është duke u angazhuar vazhdimisht në përmirësimin e mjedisit të kontrollit të brendshëm.

Hamza kërkoi që të ofrohen programe për kontroll të brendshëm që të përmirësohen financat e sektorit publik.

“Komisioni Evropian për të gjitha shtetet anëtare, por edhe atyre që aspirojnë ofrojnë një program për kontroll të brendshëm dhe për të përmirësuar financa e sektorit publik. Sistemet adekuate të menaxhimit janë thelbësore për të bërë llogaridhënien, përdorimin efektiv të fondeve publike përshirë auditimin e brendshëm dhe të pavarur”, ka theksuar Hamza.

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Raymond Hill i ka inkurajuar bizneset, qytetarët dhe institucionet që ta zbatojnë ligjin që të mos mbetet vetëm në letër. “Ligji është në letër dhe nuk është asgjë pa njerëzit. Është një mjet për ju që ta përdorni nëse doni ta merrni një shkallë më të mirë dhe tu ndihmojë juve në menaxhim të financave publike”, ka pohuar ai.

Sipas tij, mënyra si zbatohet është faktori kryesor në çështjen se si mund të arrihet suksesi i atij ligji dhe gjendja e administratës në të ardhmen.

Ligji, sipas tij, përcakton elemente që përgjegjësia menaxheriale ku menaxherët kryesorë kanë përgjegjësi në performanccën e asaj organizate të jetë në përputhje me standardet evropiane.

“Nëse flasim për qëllimin e kontrollit të brendshëm të financave publike është për t’i ndihmuar menaxherët për të udhëheq organizatën e tyre në mirë. Iu lejon juve të keni sigurim më të mirë se si organizata juaj performon. Sektori publik nuk është si një organizatë private”, ka pohuar Hill.

Ka thënë se duhet të forcohet llogaridhënia dhe të fuqizohet të menduarit e menaxhimit në gjithë organizatën.

“Nuk ka të bëjë vetëm me atë se çka merrni ju, por edhe me atë se ambienti i sistemeve të kontrollit të brendshëm mund të ndihmojë në parandalimin e korrupsionit në prokurimin publik”, ka theksuar Hill.

Edhe Auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani ka folur për kontrollet e brendshme të financave publike, duke përmendur auditimet dhe gjetjet që kanë evidentuar në raportet për organizatat e ndryshme buxhetore.