Arbëri

Pacolli: Krijimi i Ushtrisë së Kosovës, kontribut për një ambient të qetë e të sigurt në rajon

Uashington D.C., 7 shkurt, 2019 – Krijimi i Ushtrisë së Kosovës në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngre ndjeshëm kapacitetet e vendit tonë në ndërtimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt.

Kështu ka thënë ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në adresimin e tij para rreth shtatëdhjetë ministrave të jashtëm nga e gjitha bota, që përfaqësonin vendet e tyre në ministerialin e Koalicionit Global kundër ISIS-it, që po i zhvillon punimet në Uashington D.C.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryediplomati kosovar, Pacolli, ka treguar hapat konkretë, që shteti i Kosovës bashkë me SHBA-në ka ndërmarrë në vazhdimësi në këtë drejtim, thekson njoftimi për media nga MPJ e Kosovës.

Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësve nga e gjithë bota i është drejtuar edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Ndërkohë, një shtrëngim duarsh ndërmjet sekretarit Pompeo dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Pacolli, pas fotos familjare me ministrat e jashtëm pjesëmarrës ka marrë vëmendjen dhe është publikuar në mediat më të rëndësishme të botës, thotë njoftimi i MPJ-së.