Arbëri

KDI: Asociacioni do t’i përkeqësojë raportet ndëretnike

KDI-ja ka publikuar të martën raportin e sondazhit për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të zhvilluar nga 3 deri më 12 mars.

Jeta Krasniqi nga KDI-ja, tha se sipas sondazhit, 58% e qytetarëve nuk besojnë se gjykatat e veriut do të integrohen sipas Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel. Madje 60% mendojnë se kjo marrëveshje nuk do të jetë e suksesshme.

Ndërsa rreth shuarjes së strukturave paralele, 48 % e qytetarëve janë përgjigjur me “jo” kur janë pyetur nëse këto struktura janë shuar.

Në këtë sondazh, qytetarët mendojnë se dialogu nuk ka ndikuar në shtrirjen e sovranitetit edhe pas 6 vjet të dialogut. 51% e qytetarëve kanë thënë se nuk ka ndikuar, ndërsa vetëm 4% mendojnë se ka ndikuar, raporton Kosovapress.

Kurse rreth Asociacionit të komunave serbe, qytetarët e pyetur se cili do të jetë ndikimi i tij në raportet ndëretnike, 46.1% e tyre kanë thënë se Asociacioni do të ndikojë në përkeqësimin e raporteve ndëretnike, ndërsa 30.8% mendojnë se raportet do të mbesin të njëjta.

Krasniqi tha se në bazë të këtij sondazhi, ka mungesë të madhe të transparencës në dialog. Ajo tha se KDI rekomandon institucionet që ndërmarrin hapa për shuarjen e strukturave paralele, ngritjen e transparencës, shtrirjen e sovranitetit, e të tjera.

Krasniqi theksoi se institucionet duhet t’i marrin seriozisht këto rezultate.