Arbëri

Surroi për rastin Trepça, Kosova të kalojë prej procesit negociator të “normalizimit” në atë të “Marrëveshjes gjithëpërfshirëse”

Foto: Koha

Shkrimtari dhe publicisti, Veton Surroi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke komentuar debatet nëse duhet të jetë a jo Trepça çështje e negociatave midis Kosovës e Serbisë, është shprehur se "Për zyrën e zonjës Mogherini është e qartë se nëse Kosova ka pranuar të bisedojë dhe të dakordohet për të gjitha këto çështje që duhet të ishin pjesë e sovranitetit të Kosovës, do të pranojë të bisedojë edhe për Trepçën”.

Ai shton se " Është mësim i mirë për spektrin politik kosovar pse duhet kaluar prej procesit negociator të “normalizimit” në procesin negociator të “Marrëveshjes gjithëpërfshirëse” me vlerësim të procesit të deritanishëm e me parime të reja e të dakorduara udhëheqëse"

Më poshtë, postimi i plotë i Veton Surroit:

Kërkesa nga Komisioni Evropian që statusi i “Trepçës” të jetë pjesë e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është rrjedhë e natyrshme e parimeve udhëheqëse të cilat Kosova i ka pranuar deri më tash.

Përgjatë shtatë viteve të kaluara, Kosova ka pranuar të bisedojë me Serbinë, dhe të pajtohet me të për mënyrën se si do të organizohen komunat e Kosovës (Bashkësia e Komunave Serbe), çfarë nacionaliteti duhet doemos të kenë komandanti i policisë dhe gjykatësit e apelit në Mitrovicën e Veriut dhe çfarë lartësie duhet të jetë muri i rrethrrotullimit në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Për zyrën e zonjës Mogherini është e qartë se nëse Kosova ka pranuar të bisedojë dhe të dakordohet për të gjitha këto çështje që duhet të ishin pjesë e sovranitetit të Kosovës, do të pranojë të bisedojë edhe për “Trepçën”.

Është mësim i mirë për spektrin politik kosovar pse duhet kaluar prej procesit negociator të “normalizimit” në procesin negociator të “Marrëveshjes gjithëpërfshirëse” me vlerësim të procesit të deritanishëm e me parime të reja e të dakorduara udhëheqëse.