Arbëri

MASHT-i vonohet me përgatitjen e projektligjit për tekste shkollore

Foto: Koha

Ndonëse ka qenë e paraparë që projektligji për tekstet shkollore, mjetet dhe materialet mësimore... të dërgohet në Komisionin parlamentar për arsim në nëntor të vitit 2018, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Kjo, pasi Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është vonuar ta përfundojë draftin e këtij projektligji, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për shkak të kësaj vonese, javën e kaluar Komisioni parlamentar për arsim i ka drejtuar një shkresë MASHT-it, ku i ka kërkuar që sa më parë të dërgohet projektligji për shqyrtim. Sipas përfaqësuesve të këtij komisioni, është e pakuptimtë të nxirren tekste të reja shkollore në shtator përderisa projektligji ende nuk është dërguar në Kuvend.

Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi, thotë se Ministria është vonuar në përgatitjen e projektligjit i cili do të duhej të kryhej dy muaj më parë. Nëse gjatë kësaj jave MASHT-i nuk u kthen përgjigje për vonesën e projektligjit, Kurteshi ka paralajmëruar se do ta ftojnë ministrin Shyqiri Bytyqi për të dhënë sqarime rreth kësaj çështjeje.

“Nuk po e kuptojmë Ministrinë përse është vonuar kur vetë na kanë thënë se ligjin do ta sjellin në vitin 2018. Ne kemi pritur që ligji të votohet para se të nxirren tekstet shkollore, por nuk e di se çka ka ndodhur”, ka theksuar Kurteshi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)