Arbëri

Pacolli: Prezenca amerikane është jetike për paqen në Ballkan

Prezenca amerikane në rajon është jetike për garantimin e paqes dhe demokracisë dhe rajoni i Ballkanit i takon NATO-s.

Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme,  Behgjet Pacolli, gjatë adresimit të tij në Senatin Amerikan, në kuadër të Forumit mbi sfidat në Evropën Jug-lindore, të organizuar nga Senatori, Paul Inhofe.

“Mëngjesin në Uashington D.C. e fillova me pjesëmarrjen në Forumin mbi sfidat në Evropën Juglindore, i organizuar nga Senatori, Paul Inhofe, në Senatin Amerikan. Në adresimin tim para kongresistëve dhe pjesëmarrësve të tjerë, potencova rëndësinë jetike të prezencës amerikane në rajon, si garantuese e paqes dhe demokracisë.  Në anën tjetër, denoncova lojën e pistë që Serbia në vazhdimësi zhvillon, duke vazhduar me minimin e paqes nëpërmjet prezencës ruse. Rajoni i Ballkanit i takon NATO-s dhe kjo gjë nuk ka alternativë”, tha Pacolli.

Numri dy i Qeverisë Behgjet Pacolli po qëndron në SHBA me ftesë të sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, për të marrë pjesë në takimin e ministerialit të shteteve anëtare të Koalicionit Global kundër DAESH, më 6 dhe 7 shkurt, në Uashington. Ai pas kësaj do të marrë pjesë në ceremoninë vjetore të Lutjeve të Mëngjesit, më 8 shkurt.