Arbëri

Importet e mëdha po e ngufatin prodhimtarinë bujqësore të vendit

Sektori i bujqësisë ka bërë bashkë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ato ndërkombëtare të cilat ndihmojnë bujqësinë në Kosovë.

Ministri i MBPZHR-së, Memli Krasniqi tha se Qeveria e Kosovës, fermerët dhe institucionet e Kosovës janë mirënjohëse për ndihmën që donatorët e huaj kanë dhënë për zhvillimin ekonomik në Kosovë.

Ministri Krasniqi tha se ministria që ai udhëheqë do të përqendrohet në masat që do të ndihmojnë prodhimtarinë primare bujqësore, rritjen e vendeve të punës si dhe rritjen e konkurrencës, në mënyrë që të arrihet nivel më i lartë që në të ardhmen fermerët nga Kosova të mbijetojnë dhe të përballen edhe me konkurrencën jashtë vendit.

“Sigurimi i veprimtarisë bujqësore do të ndikojë edhe në uljen e normave të kredisë për bujqësi që aktualisht janë mjaft të larta”, tha ai.

Ai gjithashtu u shpreh se të vazhdojë bashkëpunimin me Bankën Botërore si dhe do të fokusohen në rritjen e buxhetit për subvencione ngase ai mendon se ende është buxheti i vogël për këtë sektor.

“Planifikojmë të ndryshojmë aplikimin për grante dhe subvencione për fermerë, nga aplikimi manual në aplikim online në mënyrë që procesi të jetë edhe më transparent”, tha Krasniqi, raporto KP.

Kryekuvendari Kadri Veseli në fjalën e tij tha se në gjithë këto vite të tranzicionit në të cilën po kalon Kosova, mbështetja e mekanizmave ndërkombëtar është shumë e nevojshme.

Sipas tij, ekonomia dhe bujqësia duhet të jetë çështja kryesore e politikës në vend.

“Politika në vend se të fokusohet në ekonomi, ajo është kthyer në barrë për fermerët”, u shpreh ai.

Kështu, ai tha se politika është shkëputur tërësisht nga qytetarët dhe se kjo situatë ka nevojë për ndryshime urgjente.

Sipas tij, kapaciteti i tregut të punës në Kosovë është shumë i mangët dhe për këtë duhet të orientohemi drejt ekonomisë së hapur.

“Kosova duke zbatuar rregullat e ekonomisë së lirë të tregut Kosova duhet të rrisë cilësinë e produkteve dhe të orientohet drejt eksportit. Kosova do të transformohet nga një ekonomi konsumuese në ekonomi prodhuese”, tha Veseli.

E përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë Libor Chlad, tha se me marrëveshjen IBA 1, janë investuar mbi 30 milionë euro për grante. Ndërkaq ai tha se nga marrëveshja IBA 2, e cila përfshinë vitet 2014-2020 janë paraparë edhe 30 milionë të tjera për tu investuar në Kosovë.

Ai tha se në vitin e kaluar importet në Kosovë kanë qenë për 6 herë më të mëdha se eksportet.

“MSA krijon një mundësi të mirë për Kosovën. Do të hap tregun e Kosovës drejt importimit të tregut evropian. Jemi duke parë mundësinë për të rritur qasjen e fermerëve në kredi. Kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë së produkteve bujqësore dhe kjo është e rëndësishme edhe për sektorë të tjerë”, tha ai.

Ndërkaq Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, konsideroi se kontributin më të madh në Kosovë Franca e ka dhënë në fushën e indikacioneve gjeografike. Kjo sipas tij, ka ruajtur mjedisin dhe ka ndikuar që prodhimi të jetë më në nivel.

Këto u thanë sot në konferencën e mbajtur “Partneriteti për Bujqësi të Qëndrueshme, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Kosovë 2017” të iniciuar nga MBPZHR-ja.