Arbëri

Rukiqi tregon se ku ka më së shumti ndikim pozitiv taksa

Descriptive Text

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka mbajtur sot konferencën e radhës për media ku foli për zhvillimet e përgjithshme në vend dhe ndryshimet e fundit legjislative. Rukiqi shtjelloi dy tema që karakterizuan këtë periudhë përfshirë Ligjin për Pagat, buxhetin si dhe çështjen e taksës.

Ai theksoi se për sektorin privat është shqetësuese se si është arritur të alokohen 1.4 miliardë euro për paga dhe skema sociale.

“Një shpenzim i tillë nuk është fuqizues i rritjes ekonomike dhe krijon një dallim të madh mes sektorit publik dhe privat”, shtoi ai.

Rukiqi po ashtu foli për ndikimin e taksës 100% dhe prezantoi rezultatet e analizës që është bërë me 194 biznese ku është treguar ndikimi i taksës në rritjen e prodhimit dhe të shitjes.

“Rreth 55% e kompanive janë ndikuar direkt nga kjo masë. Ndikimin më të madh e ka ndjerë sektori i tregtisë dhe ai i prodhimit në vend. Si efekt dukshëm pozitiv dhe premtues paraqitet rritja e shitjeve për rreth 49% të kompanive të anketuara”, tha tutje.

Rukiqi shtoi se gjatë kësaj periudhe është vërejtur gatishmëria e prodhuesve për të investuar.

Në fund Rukiqi ftoi bizneset anëtare të OEK-ut dhe jashtë saj që të shfrytëzojnë një mekanizëm kyç për mbrojtjen e interesave të bizneseve në raport me politikat përmes zyrës së komunitetit të biznesit cila ndodhet në Kuvend.

Qëllimi i kësaj zyre është të fuqizoj dhe prezantoj biznesin në procesin legjislativ duke qenë se ka shumë ligje që kalojnë pa asnjë filtër dhe pastaj dëmin e paguajnë tatimpaguesit më të mëdhenj, bizneset.