Ligji për pagat: Deputetëve s’u hiqen shtesat, zv/ministrat marrin pagë 6 muaj pas largimit

Ridvan Hamza Ridvan Hamza 02 February 2019 19:22

Koeficient, fushatë e vota, kanë qenë ndër fjalët më të përmendura në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Në shpejtësi, janë kaluar projektligjet për organizmin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura dhe ai për zyrtarët publikë, raporton KTV.

E me orë zgjati diskutimi për Projektligjin për pagat në sektorin publik, që në shqyrtimin e dytë, hyri me shumë paqartësi shkaku i presioneve nga shumë sektorë.

Një prej propozimeve të deputetes Albulena Haxhiu, ai që deputetëve të Kuvendit do t’ua ndalonte shtesat përveç pagës bazë, nuk e ka marrë mbështetjen e kolegëve të saj.

Një prej sektorëve që paralajmëroi pakënaqësi, ai i drejtësisë, përfitoi nga amendamenti 27, që u la në fuqi me propozimin e deputetit Memli Krasniqi, pavarësisht se kjo nuk u mirëprit nga bashkëpartiaku i tij, njëherësh kryetar i Komisionit për Administratë publike, Nait Hasani.

Diskutime të gjata ka pasur edhe për përcaktimin e një kufiri të pagës në ndërmarrjet publike, dhe në veçanti propozimi që nga kjo, të veçohen zyrtarët e Trustit Pensional.

Në rrezik për bllokimin e ligjit, paraqiti amendamenti i propozuar nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, që nga projektligji të hiqen pagat e punonjësve të transmetuesit publik, por i njëjti, nuk mori votat e mjaftueshme në tri tentime.

E përderisa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u ka përmendur disa herë fjalimet e fushatave zgjedhore, edhe vetë kërkoi votën për dy amendamente, të cilat sipas tij, ishin premtime.

Projektligji, është votuar me 63 vota për, asnjë kundër e 1 abstenim.

Kryeministri Ramush Haradinaj, e ka quajtur ditë historike miratimin e këtij ligji dhe ka thënë se 70 për qind e punëtorëve në sektorin publik do t’u rriten pagat.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme